Shkencëtari gjerman i bindur se COVID-19 doli nga laboratori në Wuhan

Profesori dhe shkencëtari gjerman Roland Wiesendanger është i bindur se virusi SARS CoV2 është pasojë e një aksidenti laboratorik në Institutin Virologjik të Wuhanit.

Ai bazuar në të gjeturat e një studimi 1-vjeçar, hedh poshtë se COVID-19 është bartur nga lakuriqët në tregun e qytetit kinez Wuhan. Thotë se gjatë një viti ka mbledhur shumë prova se kjo nuk qëndron.

Studimi u krye nga janari 2020 deri në dhjetor të po këtij viti.

“Një grup hulumtues në Institutin Virologjik në qytetin e Wuhanit ka kryer manipulime gjenetike në koronavirusët për shumë vite me qëllim që t’i bëjë ato më ngjitëse, të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për njerëzit. Kjo dëshmohet nga botime të shumta në literaturën e specializuar shkencore. Kishte mungesë të konsiderueshme të sigurisë në Institutin Virologjik të Wuhanit edhe para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, të cilat janë të dokumentuara. Ka indikacione të shumta, të drejtpërdrejta për një origjinë laboratorike të patogjenit SARS-CoV-2. Një shkencëtar i ri nga Instituti Virologjik në Wuhan është i pari që u infektua. Ka gjithashtu indikacione të shumta se patogjeni SARS-CoV-2 u përhap nga Instituti Virologjik në Wuhan që në tetor 2019. Ka gjithashtu indikacione të një hetimi ndaj Institutit Virologjik nga autoritetet kineze në gjysmën e parë të tetorit 2019”, ka numëruar disa nga të gjeturat e këtij studimi profesori i Universitetit të Hamburgut, Wiesendanger, përcjellin mediat gjermane.

Autoritetet kineze deri më tash kanë insistuar se virusi është bartur nga lakuriqët, që shiteshin në tregun e qytetit të Wuhanit.

Deri më tash, në nivel global janë prekur mbi 110 milionë njerëz, derisa kanë vdekur si pasojë e COVID-19 gati 2.5 milionë njerëz.

Reklama