Shkencëtarët izraelitë thonë se ua kanë gjetur “thembrën e Akilit” qelizave të kancerit

Një ekip i hulumtuesve, i udhëhequr nga shkencëtarët e Universitetit të Tel Avivit, kanë thënë se mund ta kenë zbuluar “thembren e Akilit” të qelizave kancerogjene, që në të ardhmen mund të çojë në zhvillimin e një vargu tërësisht të ri të ilaçeve dhe trajtimeve kundër sëmundjes vdekjeprurëse.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Dr. Uri Ben-David nga Fakultetit i Mjekësisë në Universitetin e Tel Avivit, i cili e udhëhoqi punën kërkimore në këtë studim, tha se shkencëtarët për më shumë se një shekull e kanë ditur se qelizat malinje kanë numër jonormal të kromozomeve. Njerëzit kanë 46 kromozome, por te kanceri ky numër ndryshon, sepse, gjatë ndarjes qelizore, ndodh ndarja kromozomale që mund ta sjellë fenomenin e quajtur aneuploidi.

Aneuploidia – prania e numrit jonormal të kromozomeve në një qelizë – jo vetëm që shkakton çrregullime të zakonshme gjenetike, por është edhe shenjë dalluese e qelizave të kancerit. Jo të gjitha llojet e kancerit shfaqin aneuploidi, por rreth 90 për qind e tumoreve të ngurta dhe 75 për qind e kancereve të gjakut e shfaqin atë në një shkallë të caktuar.

Sipas Ben-Davidit, të gjeturat e këtij studimi hapin një rrugë tërësisht të re për hulumtime mjekësore, shkruan Jerusalem Post, transmeton Gazeta Express.

“Me dekada, ne jemi përpjekur të kuptojmë pse aneuploidia ndodh te kanceri dhe si kontribuon ajo në formimin dhe zhvillimin e tumorit”, tha ai, duke shtuar se shkencëtarët janë munduar të shohin nëse mund të përfitohet nga dallimi mjaft unik mes qelizave të kancerit dhe qelizave normale me qëllim që të vriten qelizat e kancerit në mënyrë selektive.

Studimi i publikuar në revistën shkencore “Nature” dhe të gjeturat e të cilit u publikuan të mërkurën, u krye në laboratorin e shkencëtarit Ben-David në Universitetin e Tel Avivit, në bashkëpunim me gjashtë laboratore në katër shtete tjera – Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Holandë dhe Itali.

“Vizioni i përgjithshëm është që duke kuptuar se në ç’mënyrë janë qelizat aneuploide ndryshe nga qelizat normale dhe duke e gjetur dhembrën e Akilit të qelizave aneuploide, kjo do të ishte mënyrë shumë tërheqëse për t’i vrarë qelizat e kancerit në mënyrë selektive”, tha Ben-David.

Studimi ka rol të rëndësishëm për trajtimet kundër kancerit që do të përdoren në të ardhmen. Për momentin, në testim në njerëz janë disa ilaçe që e parandalojnë ndarjen e kromozomeve, por shkencëtarët nuk kanë arritur të zbulojnë se cilët pacientë do të reagonin ndaj tyre e cilët jo.

Reklama