SHBA-ja vë sanksione ndaj kriminelëve të Mitrovicës veriore

SHBA-ja ka ndërmarrë sanksione kundër grupeve të organizuara kriminale, përfshirë edhe grupin e Zvonko Veselinoviqit në veri të Kosovës.

Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar rrjetet e korrupsionit dhe krimit të organizuar (16 individë dhe 24 subjekte) në disa shtete në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore.

Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se këto veprime janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818, i cili targeton personat e korruptuar dhe ata që abuzojnë rëndë me të drejtat e njeriut.

Në njoftim thuhet se Zvonko Veselinoviqi, si lider i Grupit të Organizuar Kriminal (OCG), është një nga figurat më të korruptuara dhe më famëkeqe të Kosovës.

Ky departament thotë se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë korruptuar politikanë të ndryshëm, duke i ndihmuar partitë e tyre të fitojnë zgjedhjet që në këmbim këta të fundit t’iu garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa zonave të caktuara për bizneset e tyre.

“OCG-ja e Veselinoviqit është e përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë, të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky grup gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë dhënien e ryshfetit në fillim të vitit 2019 zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e kontrabandës mes Serbisë dhe Kosovës dhe atë të vitit 2017 të zyrtarëve kufitarë të Kosovës për të lejuar kalimin e sigurt të kontrabandistëve”.

“Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe vëllai i tij  Zharko Jovan Veselinoviq (Zharko) kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre që të fitojë zgjedhjet, të siguronin fitore për kandidatët e tyre dhe të kontribuonin me shuma të mëdha të parave për kandidatët. Në këmbim, këta politikanë do t’iu jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre, ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme biznesore pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe dhe gjithashtu do të ofronin informacion për të mbështetur investimet e bizneseve të vëllezërve Veselinoviq. Politikanët gjithashtu do t’i shpërblenin vëllezërit Veselinoviq, duke punuar për t’iu siguruar kontratat më të mira”, thuhet në komunikatë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshin edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Miljojko RadisavljeviqRadovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq dhe Radule Steviq./

Reklama