Shamia thyen ëndrrën e atletes amerikane

Noor Alexandria Abukaram, vrapuesja 16 vjeçare që jeton në Ohaio të Shteteve të Bashkuara, është përjashtuar nga një garë për shkak të shamisë fetare. Tani ajo po lufton që të ndryshojë rregullat.

E rritur në periferi të qytetit Tohedo në Ohaio, vrapuesja 16 vjeçare Noor Alexandria Abukaram bën një jetë normale si çdo adoleshente amerikane. Por më 19 tetor, pasi mbaroi një garë vrapi, ajo vërejti diçka të pazakontë.

“Bëra më të mirën time dhe mbarova garën. Shkova të shoh rezultatin por emri im nuk ishte. Shkova të pyes vajzat e ekipit. U thashë se emri im nuk ndodhet në listë dhe ato më thanë se isha përjashtuar. I pyeta përse? Më panë se shamia është shkaktari. Në atë moment mu thye zemra. Ndihesha e turpëruar. U largova e dëshpëruar”, tha ajo.

Edhe nënës së atletes, përjashtimi iu duk i pakuptimtë.

“Na theu zemrën. Ishte moment i rëndë të shohësh qetësinë e saj, mënyrën se si ajo e tejkaloi këtë. Ajo e do ekipin prandaj e pranoi”, tha Yolanda Melendez, nëna e sportistes së përjashtuar.

Shoqata e Atletikës për shkollat e mesme në Ohaio, thotë se nxënësit mund të vrapojnë me shami, por atyre u duhet një miratim paraprak.

Abukaram vrapoi për muaj të tërë pa leje me shami në kokë, por këtë herë zyrtarët vendosën të zbatojnë rregullin.

Ekipi i saj ngeli i habitur.

“Mendoj se rregullat duhet të ndryshohen sepse nuk është e drejtë dhe mendoj se kjo nuk duhet përsëritur”, tha Sydney Gfeoo.

Shkolla ka miratuar lejen që Abukaram të vrapojë me shami. Por përjashtimi i dëmtoi asaj karrierën.

“E përjashtuan publikisht. Ata duhet të kenë kurajon të dalin publikisht dhe të tregojnë se ishin gabim”, tha Yolanda Melendez, nëna e sportistes.

E pyetur se si e sheh të ardhmen e saj, atletja tha “Në të ardhmen, e shoh veten duke bërë sport në nivel kolegjesh, qoftë duke vrapuar apo luajtur futboll, sepse i bëj të dyja”.

Ajo beson se kjo që ndodhi i dha forcën që të ngrejë zërin dhe të ndryshojë rregullat.

Fituesja e medaljes olimpike të bronxit, Ibtihaj Muhammad është atletja e parë amerikane që garoi me shami, në lojërat verore olimpike më 2016 në Rio.

Ajo i doli në mbrojtje vrapueses Abu-Karam, menjëherë pas përjashtimit të saj./ZëriiAmerikës

Reklama