Sektori i prodhimtarisë së qumështit në Rahovec, në krizë – Latifi: Të veprojmë tani

Sot, gjatë ditës kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka pritur në takim përfaqësues të fermerëve blegtorë të komunës së Rahovecit si dhe pronarin e pikës më të madhe grumbulluese të qumështit “Pashtriku”, të cilët, sipas tij, i janë drejtuar sot komunës sonë për të shprehur shqetësimin serioz të tyre për pamundësinë e dorëzimit të qumështit në pika grumbulluese.

Fermerët kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me uljen e kapaciteteve të qumështores për pranimin e qumështit.
Nga 25 mijë litra sa pranonte brenda ditës dikur kjo qumështore, tani ka mundësi të pranojë vetëm 10 mijë, për shkak të krizës që ka shkaktuar pandemia.

“Fjala është konkretisht për një problem që ka filluar të thellohet edhe më shumë pas situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, ku nga ana e fermerëve u njoftova se tashmë dorëzimi në pikën më të madhe grumbulluese të qumështit po bëhet i pamundur për shkak se Qendra Grumbulluese e Qumështit “Pashtriku”, nga 25,000 litra qumësht sa pranonte brenda ditës tanimë nuk arrin të pranojë as 10,000 litra, për shkak të refuzimit të qumështit. Një problem i tillë është mjaft serioz do të dërgonte në një kolaps, falimentimin e qindra stallave, mbetjen e qindra punëtorëve pa punë, këputjen e një hallke të rëndësishme të zingjirit që ndikon direkt në mirëqenien sociale dhe zhvillimin e ekonomisë familjare”, ka shkruar ai.

Latifi ka treguar gatishmërinë e tij për të ndihmuar këtë sektor që të dal nga kjo situatë. Ai ka thënë se do të kontaktojë me institucionet relevante për të zgjidhur problemin.

“I gatshëm për bashkëpunim dhe përkrahje, i bindur që duhet bërë ndërhyrje urgjente në pakon e rimëkëmbjes ekonomike, fermerët blegtorë i sigurova se do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me Asosacionin e Komunave të Kosovës, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për mundësitë e përbashkëta për të përkrahur sektorin e qumështit që të dal nga kjo gjendje e rënduar. Pasojat e mosveprimit do të jenë serioze! Të veprohet seriozisht para se të bëhet vonë!”, ka shkruar ai.

Reklama