Seanca për votimin e qeverisë caktohet më 3 shkurt

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që seanca për votimin e qeverisë të mbahet më 3 shkurt në orën 11:00 – bazuar në kërkesën e mandatarit për kryeministër Albin Kurtit.

Këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari Glauk Konjufca menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë.

“Ne sapo e përfunduam një mbledhje të shpejtë të Kryesisë së Kuvendit. Siç e dini, mandatari për kryeministër Albin Kurti i është drejtuar Kuvendit dhe Kryesisë të Kuvendit me një kërkesë për paraqitjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës”.

“Ai e ka kërkuar datën 3 shkurt dhe orën 11:00 që kjo seancë të mbahet. Mbledhja e Kryesisë vendosi njëjtë – pra, që të respektohet kjo datë dhe kjo orë”.

“Ne sapo vendosëm që seanca plenare për krijimin e qeverisë së Kosovës të mbahet më 3 shkurt në orën 11:00”.

Reklama