SBASHK-u i pakënaqur që mësimi do të vazhdojë të hënën

Në të gjitha institucionet e arsimit të hënën pritet të vazhdojë procesi arsimor. Kjo, meqë Komiteti për menaxhimin e pandemisë nuk vendosi për propozimin e MASH-it që të shkohet me një javë pushim në shkolla. E kjo nuk i ka pëlqyer Sindikatës së Arsimit, e cila po kërkon që javën e ardhshme të shqyrtohet edhe një herë propozimi. Këshilli i Prindërve thotë se situata me pandeminë në shkolla është stabile dhe nuk ka arsye për mbylljen e tyre.

Mos marrja e një vendimi nga Komiteti për menaxhimin e pandemisë që shkollat të shkojnë në pushim 1-javor, siç ishte propozuar së fundmi, nuk i ka pëlqyer Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK).

Për këtë arsye po kërkon që Komiteti ta shqyrtojë edhe një herë mundësinë që shkollat të pushojnë një javë. Por përfaqësues të prindërve janë duke insistuar që të mos ndërpritet mësimi.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është befasuar me vendimin e Komitetit. Ai u ka kërkuar institucioneve që të ndërmarrin veprime para se të përkeqësohet, sipas tij, situata me COVID-19 edhe më shumë.

“Apelojmë që Komiteti edhe një herë gjatë javës së ardhshme të shohë t’i marrë shifrat e sakta dhe të veprojë në bazë të shifrave e jo në bazë të emocioneve dhe presioneve nga ndonjë palë tjetër, nga ndonjë subjekt politik ose ata që thirren në emër të Këshillit të Prindërve. Pra, duhet vepruar në bazë të situatës, pa marrë parasysh kush çka thotë dhe kush çka dëshiron. Në radhë të parë duhet të jetë shëndeti i nxënësve dhe i punëtorëve të tjerë që punojnë në arsim”, ka thënë Jasharaj.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, e ka ftuar Komitetin që të mos e ndryshojë këtë vendim për shkak të kërkesave të SBASHK-ut.

“Situata nuk është alarmante. Këto janë manipulime të Sindikatës dhe të MASH-it. Problemi është që ata e kanë humbur këtë betejë të dëmshme për mbylljen e shkollave dhe tash tentojnë para opinionit të arsyetohen. Gjendja në shkolla është stabile. Nëse shkollat mbyllen është vendimi më i dëmshëm. Komiteti ka vendosur që të mos mbyllen shkollat, prandaj çdo tentativë tjetër është e pabazë dhe tendencioze”, tha ai.

Në një përgjigje për KOHËN, ministri në detyrë, Ramë Likaj, ka theksuar se duhet angazhim i të gjithëve për t’i mbajtur shkollat hapur dhe, sipas tij, arsimi nuk mund të jetë sektori i vetëm ku bëhen kufizime. Megjithatë, ka shtuar se MASH-i është i shqetësuar me rritjen e rasteve me COVID-19 në arsim.

“Situata ka prekur të gjithë sektorët, ndërsa ne kemi një master-plan me skenarë të njohur dhe mjaft fleksibil që ju lejon task-forcave në të gjitha nivelet të reagojmë dhe ta ndërrojnë formën e mësimit. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me MSH-në, IKSHPK-në, SBASHK-un, DKA-të, Këshillin e Prindërve dhe me hisedarë të tjerë duke e përcjellë gjendjen dhe nëse ka përkeqësim të gjendjes duhet t’u besojmë profesionistëve shëndetësorë dhe të reagojmë për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve”, ka thënë ai.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, mësimi do të vazhdojë sikur deri tash bazuar në tre skenarët. Për këtë i ka ftuar nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë punëtorët e arsimit që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë.

Të martën e kaluar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, paralajmëroi se po shqyrtohet mundësia që nga 22 marsi për 2 javë me radhë të kalohet në mësim online në të gjitha nivelet.

Mirëpo në një takim mes përfaqësuesve të Shëndetësisë, Arsimit, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, MASH-i kërkoi që të mos ndodhë një gjë e tillë pa u bërë përgatitje paraprake, për çka propozoi një javë pushim. E ky propozim nuk u miratua në mbledhjen e Komitetit për menaxhimin e pandemisë, të mbajtur të premten.

 

Reklama