Saranda pa krah pune, hotelet dhe restorantet të shqetësuar për mungesën e stafit

Sezoni i ri veror po ofron qindra vende të lira pune në jug të vendit. Janë me dhjetëra biznese që çdo ditë publikojnë njoftime për punësim kundrejt pagave nga 350 deri në 1 mijë euro.

Në Sarandë, Ksamil, Himarë dhe zonën e Borshit kërkesa është kryesisht për kuzhinierë, punonjës hotelerie, ekonomistë, menaxherë etj.

“Dihet që sezoni turistik kërkon punëtorë dhe rrit punësimin. Ka qenë një kohë pandemie dhe punëtorët kanë qenë pothuajse gjysmë në gjumë ose gjysmë të papunë. Por unë mendoj se pasi nuk kanë pasur mundësi të punësohen jashtë, punëtorët janë këtu dhe mezi presin që sezoni të fillojë”, thotë Vladimir Musej, administrator restoranti.

Administratorët e hoteleve dhe restoranteve janë të shqetësuar, pasi nuk po gjejnë specialistë të fushës edhe kur ofrojnë pagesa të kënaqshme.

“Në Sarandë ka mungesë të theksuar personeli të specializuar për fusha të ndryshme të turizmit. Nga anët e tjera çdo gjë është gati si kurrë më parë. Jemi gati të presim turistë shumë më tepër se më parë, me gjithë vështirësitë që sapo përmenda dhe mungesë e theksuar e personelit”, shprehet Shkëlqim Beqo, biznesmen në hoteleri.

Në Zyrën e Punësimit Sarandë këto ditë u shtua fluksi i vendeve të reja të punës dhe kërkesa nga bizneset për të punësuar shtetas shqiptarë dhe të huaj. Vetëm në një javë janë hapur 80 vende të lira pune.

“Nga vendet e lira të punës që ne kemi janë, recepsionistë, sanitarë, kamerierë, kryesisht 80 për qind e vendeve të lira janë në turizëm. Këtë vit kërkesat për punësim kanë nisur më herët, madje një hotel e kemi plotësuar me staf dhe tani po punojmë me hotele të tjera. Vijnë të papunë edhe nga qytete të tjera që punojnë këtu sipas kërkesës. Edhe të huaj ka pasur, i kemi pajisur me leje pune dhe i kemi punësuar”, shprehet Elisabeta Husi, specialiste e zyrës se punës Sarandë.

Në jug të Shqipërisë rreth 5 mijë persona pritet të punësohen ose vetëpunësohen në industrinë e turizmit, por fillimi duket i vështirë. /euronews.al/

Reklama