Rugova: Disfata nga zgjedhjet tregon se garda e vjetër e LDK-së duhet të largohet

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, pas rezultateve të zgjedhjeve të cilat u mbajtën të dielën në Kosovë, ka thënë se kryesia e partisë duhet të japë dorëheqje dhe të largohet menjëherë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se disfata që e pësuan në këto zgjedhje, sidomos në bastionet e tyre, tregon që komplet garda e vjetër e partisë, që me vite po i ikin reflektimit, duhet të largohet.

Rugova ka thënë se të rinjtë që kanë shkuar në parti duhet të reflektojnë e të mësojnë nga kjo përvojë.

“Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura. Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para. LDK është pasuri fundamentale e këtij populli”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka bërë thirrje që LDK-ja të rrijë në sallë e t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente, duke theksuar se është e rëndësishme që masat të bien deri në fund.

“Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më. Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para”, ka thënë ai.

Reklama