Rritje e çmimit të rrymës në krejt Kosovën, jo edhe për serbët e veriut

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së, ka thënë se katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e këtij institucioni për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Këtë deklaratë Fejzullahu e bëri gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

Ai tha se kjo është bërë me faktin se ZRRE-ja është në proces gjyqësor me Avokatin e Popullit, i cili e ka paditur këtë institucion për shkak të pagesave që qytetarët e tjerë të Kosovës kanë bërë për rrymën e shpenzuar në veri.

Ndër të tjera, duke folur për rritjen e çmimit të tarifave, ai tha se kategoria e shfrytëzimit të energjisë elektrike mbi 600 kWh do të kenë ngritje të çmimit, por sipas tij, edhe këto kategori do të përfitojnë nga subvencionimi qeveritar.

Qeveria ka zotuar 75 milionë euro për t’u dalë në ndihmë konsumatorëve që do të përballen me rritjen e çmimit të energjisë. Kategoritë që shpenzojnë deri në 600 kWh nuk do të preken nga rritja e çmimit.

ZRRE-ja ka kërkuar kthimin e bllok-tarifës, e cila ishte hequr më 2017. Kthimi i saj nënkupton kategorizimin e konsumit të energjisë elektrike në ata që konsumojnë deri në 600 kWh dhe ata që konsumojnë mbi këtë shifër. Ata që e tejkalojnë këtë konsum mujor, faturat e tyre mujore do të pësojnë rritje të majme