Rriten rastet me Covid-19 në Kosovë, MSH jep sqarime çfarë ndodhi

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një sqarim se pse të martën është regjistruar një numër i madh i rasteve pozitive me COVID-19.

Sipas MSH-së, sot u shënuan mbi 100 raste të reja të infektimit për shkak të grumbullimit të rasteve për tri ditë nga një laborator privat.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se ky laborator ka raportuar 39 raste me vonesë, gjë që ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të raportuara sot.

“Ju informojmë, se në kuadër të rasteve të raportuara sot, ka raste të akumuluara për 3 ditë nga laboratori Olive. Gjithsej janë 1,006 testime dhe 39 raste SARS CoV-2 pozitiv të raportuara me vonesë. Kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të raportuara sot”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Në raportin 24-orësh janë konfirmuar 108 raste të reja pozitive me COVID-19 nga gjithsej gjashtë mijë e 169 testime të kryera, ndërsa nuk është shënuar asnjë vdekje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 pacientë, duke çuar numrin e të shëruarve në 158.078. Në total numri i rasteve aktive është 637.

Reklama