Rreth 76 për qind e qytetarëve të Shqipërisë e duan bashkimin me Kosovën

Pakënaqësitë e ndryshme të shtetasve të Shqipërisë ndaj atyre të Kosovës për çështje të ndryshme variojnë nga 1.2% – 12% të të intervistuarve

Të paktën 76 për qind e banorëve të rritur të Shqipërisë e duan bashkimin me Kosovën, derisa vetëm 20 për qind janë kundër, ka bërë të ditur Eduard Zaloshnja, autor i shumë sondazheve në Shqipëri.
 

Zaloshnja këto rezultate i ka bërë të ditur pas një sondazhi të zhvilluar në terren anembanë Shqipërisë, si pjesë e një studimi të gjerë ballkanik, që është paralajmëruar se do të publikohet i plotë.

Gjithashtu në bazë të tij, vetëm 1.2 për qind e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk duan që një shtetas i Kosovës të jetojë në lagjen, rrugën, pallatin ku banojnë, derisa 1.5 për qind e të anketuarve kanë shprehur kundërshtimin që një shtetas i Kosovës të jetë kolegu i tyre në punë. Njëkohësisht, 2.6 për qind e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk duan që një shtetas i Kosovës të jetë shoku i tyre e 6.7 për qind nuk duan që një shtetas i Kosovës të jetë mësues i fëmijëve/nipërve/mbesave të tyre.

E përqindja e atyre që nuk duan që një shtetas i Kosovës të jetë eprori i tyre në punë është 7. Njëkohësisht 7.8 për qind e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk duan që një shtetas i Kosovës të martohet me një anëtar/e të familjes së tyre, përderisa 12 për qind e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk duan që një shtetas i Kosovës të jetë zyrtar publik në shtetin amë.

Sondazhi i së enjtes vjen pas atij të “Euronews Albania”, sipas të cilit 80 për qind e shqiptarëve janë për bashkim me Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kishte cilësuar si provokim pyetjen rreth bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të qeverive, më 26 nëntor në Elbasan. Megjithatë, ai kishte theksuar se vota e tij do të ishte pro.

“Tani, kjo është pyetje apo “provokacia”, se unë nuk e kuptoj? Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do të bëja një shkelje të ligjit për fshehtësinë e votës dhe do të votoja hapur pro, që të jemi të qartë. Në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo apo jo, meqë ju më provokoni, po ju provokoj dhe unë, unë them që kjo do të ndodhë. Unë nuk di kur do të ndodhë, si do të ndodhë sot, por që kjo do të ndodhë një ditë, unë them po. Atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin dhe të bërtasin për “Shqipërinë e Madhe” është që fallxhorët nuk gjykohen, sepse është një fall. Meqë ju po më pyesni, të hedhim fall, dhe nëse unë do të hidhja fall, po e hedh me imagjinatë në këtë rast, se unë nuk shoh filxhan, unë them që kjo do të ndodhë. Se kur do të ndodhë, se si do të ndodhë, këtë unë nuk e di”, kishte thënë ai.

E kryeministri Kurti, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kishte deklaruar se ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim te çështja e bashkimit të shqiptarëve.

“Mua më duket se ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim te çështja e bashkimit të shqiptarëve. Nuk është diçka që e zgjedhim apo përzgjedhim, është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Nuk mund të vendosemi ne mbi këto procese historike e të përcaktojmë data e mënyra”, kishte thënë ai.

Reklama