Rreth 618 mijë euro më pak për bujqit rahovecas nga Qeveria e Kosovës

Pas miratimit të rregullores së re për subvencionet nga Ministria e Bujqësisë, rreth 618 mijë euro më pak do të përfitojnë bujqit rahovecas këtë vit nga Qeveria e Kosovës.

Drejtori i Bujqësisë, Berat Duraku, ka ndarë disa informacione krahasuese për vitet 2020 dhe 2021 për pagesat direkte, apo që njihen si subvencione, të cilat ia ka dërguar edhe ministrisë.

Disa herë, bujqit kanë akuzuar ministrinë se ka krijuar vështirësi të shumta në aplikim për subvencione me rregulloren e re.

“Informatë për të dhënat e fermerëve që kanë aplikuar për vitin 2021 në programin e Pagesave Direkte – Subvencioneve. Të dhënat e grumbulluara janë përllogaritur duke u bazuar në udhëzimin e ri administrativë 07/2021 si dhe në Programin për Zhvillimin e Bujqësisë të hartuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka shkruar Duraku.

Duraku ka thënë se janë 196 fermerë më pak që kanë aplikuar në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.

“Këtë vit kanë aplikuar gjithsej 2,907 fermerë, ku krahasuar me vitin 2020 numri është për 196 më i vogël (2020 = 3,103 fermer). Nga të dhënat e paraqitura në tabelat e mësipërme, vërejmë se në vitin 2021 kemi rreth 2,100 ha më pak sipërfaqe të aplikuara, ku kryesisht dominon sektori i lavërtarisë me -1,566 ha, ndërsa, rritja më e theksuar është te prodhimi i verës me mbi 3 milion litra (gjithmonë duke u krahasuar me vitin 2020). Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit është shtuar edhe subvencionimi i grurit për kilogram. Nga të dhënat e përgjithshme të përpunuara fermerët e komunës së Rahovecit do të përfitojnë 3,788,745€”, ka shkruar ai.

Reklama