Rreth 120 mijë të regjistruar si të papunë në Kosovë

Rreth 120 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Drin Haraqija nga kjo agjenci. Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës është komuna me më së shumti të regjistruar si të papunë, me afër 15.000 të tillë.

Ai ka thënë se pas kryeqytetit është Prizreni me afër 9.000, Peja e pastaj qytete tjera.

“Ne më shumë merremi me sektorin privat. Trajtimi jon kryesor ka të bëjë me sektorin privat, ne nuk e trajtojmë sektorin publik sepse rekrutim nuk bëhet përmes neve. Sfidat janë të ndryshme, si moskualifikimi adekuat. Kërkesat janë të ndryshme, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, ka thënë ai.

Haraqija ka thënë se profilet që kërkohen janë IT-ja, sektorët e shitjes dhe inxhinieria mekanike.

Arion Rizaj nga Kosovo Job ka thënë se tregu i punës është shumë sfidues në Kosovë.

Sipas tij, shërbimet kryesore që i ofrojnë si kompani janë publikimet e vendeve të punës.

“Neve na bie me bashkëpunu me sektorin privat për shkak të publikimit të konkurseve. Ne e shohim ku janë vështirësitë në të bërit biznes e pastaj edhe punësimin. Vazhdon me qenë në trend që një pjesë e madhe e punëkërkuesve vazhdojnë të kërkojnë punë në sektorin publik. Sektori i IT-së është më i kërkuar. Konkurset që më së shumti kërkohen ose publikohen janë në administratë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se sfida ka edhe pas punësimit, për të mbajtur atë dhe për t’i përmbushur kërkesat e kompanisë.

Reklama