Rrahman Jasharaj, kryesindikalisti atraktiv që i rri në krye detyrës së tij

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, është njëri prej njerëzve më të sulmuar, më të përqeshur e më të bullizuar në këto dy tre vitet e fundit. Jo pse ka bërë diçka të gabueshme, por sepse e ka bërë pikërisht të kundërtën: ka bërë gjënë e duhur dhe ka kryer detyrën e tij prej kryesindikalisti në mënyrë të shkëlqyeshme. Rrahman Jasharaj është njëri prej pak njerëzve në Kosovë që është në krye të detyrës, duke mos bërë kompromis me obligimet dhe misionin e tij, që i është besuar pothuajse unanimisht nga të gjithë mësimdhënësit e shtetit.

Nga RahoPress

Edhe në këtë kohë, kur z. Jasharaj mbron interesat e mësuesve të Kosovës, sulmohet nga pushteti i ri, nga veglat e tij në media, shoqëri civile e nga anëtarë e zyrtarë të partisë që mban pushtetin. Pothuajse, e njëjta ndodhte me pushtetin tjetër paraardhës, kur sulmohej e përqeshej, herë për dhëmbët e tij të pashkëlqyer e herë për karakteristika të tjera të fizikut të tij.

Ndonëse pushtetet ndryshuan, Jasharaj nuk ndryshoi kërkesat e SBASHK-ut, sepse gjendja e mësuesve në Kosovë nuk ndryshoi, pagat dhe kushtet e tyre të punës mbeten të njëjta, ndërkohë standardi i tyre i jetesës është ulur si pasojë e inflacionit në rritje. Pas muajve mirëkuptimi për gjendjen e rëndë, fillimisht energjetike e pastaj të çmimeve, Jasharaj më në fund ka caktuar një afat konkret për greva dhe protesta, duke nxitur sharjet e fyerjet e zakonshme nga pushteti, por edhe qytetarë që nuk e kuptojnë rolin e as kërkesat e tij. Mirëkuptimi i tij për qeverinë ishte maksimal, duke e pritur në disa afate për hartimin e Ligjit për Paga. Nuk ndodhi as në mars, siç u premtua disa herë nga qeveritarët.

E kritikojnë Jasharajn pse nuk angazhohet për cilësi në arsim por për paga për mësimdhënësit, sikur ai të ishte hartues i kurrikulave mësimore apo kryeinspektor i arsimit. Ka një rezistencë e pamundësi të hatashme për të parë rolin e vërtetë të organizatave sindikale. Pra, edhe ata që mbahen të majtë, e kanë të pamundur ta shohin një sindikatë në rolin origjinal të saj, që është thjesht bashkim i organizuar i punëtorëve për të rritur peshën e në tavolinën e negociatave për kushte më të mira të punës. Kuptohet që Rrahman Jasharaj nuk është kundër cilësisë në arsim, por ajo s’është detyrë e as mision i tij. Ajo është detyrë, pikë së pari e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit. Rrahman Jasharaj kërkon paga, sepse ky është mandati i tij si kryesindikalist.

E vërtetë që gjendja në arsim nuk mund të ndryshohet vetëm duke rritur pagat, por kjo nuk është një arsye për të mos i rritur. Sot, një mësues pagën mesatare mujore e ka rreth 470 euro, që do të thotë se paga në arsim për një mësues potencialisht të përgatitur është e pafavorshme. Një qytetar i diplomuar dhe i përgatitur për t’u bërë mësimdhënës i mirë, pa dyshim që nuk kërkon një vend pune në arsim, duke qenë se dyfishin e kësaj page e merr me lehtësi në sektorin privat. Kështu sektori i arsimit humb një mësimdhënës të mirë dhe në vend të tij hyn një militant partiak. Pra, pyetja është, pse pushteti nuk angazhohet për cilësi në arsim, duke krijuar kushte të favorshme të punës dhe drejtësi në punësim? Kuptohet që arsimi është sektor kompleks, ku rol të madh luan edhe dimensioni kulturor e tradicional i popullit, prandaj kjo ngecje kaq e madhe.

Pushtetet nuk e kanë problemin e cilësisë, por të votave. Edhe kjo qeveri, nuk shqetësohet pse kryetari i sindikatës kërkon rritje pagash, por sepse ky është një proces i vështirë dhe kërkon konsensus mes të gjithë punëtorëve të sektorit publik dhe pamundësia për t’i kënaqur të gjithë kushton vota. Megjithatë, sindikatat nuk janë aty për ta mirëkuptuar strategjinë elektorale të këtij kryeministri, por për t’i arritur qëllimet e drejta të punëtorëve që i përfaqësojnë.

Dhe, këtë gjë, po e bënë më së miri Rrahman Jasharaj.