Reagon PDK: Nazim Shehu nuk ka qenë asnjëherë në Kryesinë e partisë

Pas një lajmi të RahoPress, ku jepet njoftimi për kalimin e Nazim Shehut në AAK nga Kryesia e PDK-së në Rahovec, ka reaguar kjo e fundit duke e demantuar lajmin.

PDK, me një gjuhë të ashpër ndaj mediumit RahoPress, ka reaguar duke thënë se Nazim Shehu nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Kryesisë së PDK-së.

Ne sqarojmë se mediumi RahoPress asnjëherë nuk ka pretenduar që Shehu të ketë qenë pjesë e Kryesisë, mirëpo ka raportuar nga njoftimi i deputetes së deritanishme të AAK-së, Albena Reshitaj, e cila lajmin për kalimin e Shehut e ka publikuar në rrjetin e saj social Facebook.

Fushata elektorale shpeshherë bëhet kaotike edhe për fajin e partive politike, prandaj RahoPress thërret PDK-në që të përmbahet nga gjuha e rëndë ndaj mediave të lira dhe të pavarura.

Reagimi i plotë i PDK-së:

Partia Demokratike e Kosovës – dega në Rahovec, demanton lajmin e “portalit” Rahopress, të afërt me partinë në pushtetin lokal në Rahovec, lidhur me publikimin e lajmit kinse z.Nazim Shehu, ka qenë anëtar i kryesisë në degën e Partisë Demokratike në Rahovec.

E vërteta e këtij lajmi është se: Personi në fjalë nuk ishte dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e kryesisë së degës së PDK-së në Rahovec.

Tendenca të tilla me mashtrime, rrena të pushtetit aktual, janë standarde të këqija të funksionimit në komunën tonë, duke përdorur “portale” dhe eksponentë mashtrues dhe dezinformim të opinionit publiim.

Tendenca të tilla nuk i bëjnë mirë politikës dhe shoqërisë në pergjithësi.

Kështu që ju njoftojmë se, ne si parti, kemi organe udhëheqëse të partisë, si Kryetarin, Kryesinë dhe sektorët përkatës për medie, të cilët mund ti kontaktoni në çdo kohë para se ta publikoni një lajm të pa vërtetë dhe me tendenca.

Me shumë respekt, Partia Demokratike dega në Rahovec – Sektori për Medie

Reklama