Rama në BE: Çmenduri dhe turp – kosovarët nën Jugosllavi lëviznin lirshëm, tash mbahen peng

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur të çmendur dhe të turpshëm izolimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës me mosliberalizimin e vizave, pavarësisht plotësimit të kushteve.

Ai pas samitit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor ka thënë se kjo ka qenë një nga temat për të cilat ka folur me liderët evropianë.

“Është një kidnapim që po u bëhet qytetarëve të Kosovës. S’po u lejohet të lëvizin të lirë. I vetmi popull në shpirt të Evropës e që s’mund të lëvizë lirshëm. Ju thashë: ‘Ishin nën diktator të Jugosllavisë, ndoshta dy. Mund të lëviznin kudo e të punonin. Që kur u çlirua, çliruesit e tyre po i mbajnë peng. S’mund të lëvizin’. Kjo është çmendur, e turpshme dhe duhet të përfundojë. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm”, ka thënë Rama në një konferencë për shtyp pas samitit, bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.

Rama i del në krah Serbisë: Nuk është në pozitë të veprojë aq shpejt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se dëshiron të shprehë keqardhjen për Bashkimin Evropian, duke deklaruar se është e turpshme që Maqedonia e Veriut e Shqipëria po mbahen peng nga Bullgaria për integrim në BE. Ai i ka dalë në mbrojtje Serbisë pas presioneve që po i bëhen nga Perëndimi për të vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka thënë se “shtrëngimi” i madh mund të çojë në efekte të kundërta.

“Charles Michel na tha kemi tre minuta, i thash se ka mundur të jenë vetëm 30 sekonda po të përmbushnin ato premtime që kanë dhënë. Kështu që nuk mjaftuan tre minuta. I thash se ndjehemi mirë dhe keq. Mirë pasi jemi evropianë është gjë e madhe të jesh mes evropianëve, e keq pasi nuk mund të dëgjohemi si evropianë, por si mysafirë, në një shtëpi të ndarë”, tha Rama në një konferencë për shtyp pas samitit.

Ai ka thënë se është shqetësuese që as pandemia e lufta në Ukrainë nuk ka bërë që të ndryshohet qasja e disa shteteve të Bashkimit Evropian.

Ai e ka quajtur të turpshme sjelljen e Bullgarisë, duke thënë se po mban peng dy shtete të NATO-s.

Ka shtuar se Maqedonia e Veriut ka ndryshuar edhe emrin, por prapë nuk është hapur negociatat për anëtarësim.

“Imagjinoni që Franca e Italia të duhej të ndërronin emrin për anëtarësim”, tha Rama.

Ai ka thënë se Ballkani i Hapur është mjet për të bërë konkret Procesin e Berlinit.

“Unë kam kërkuar përkrahje të plotë për Ballkanin e Plotë, por edhe në këtë janë të ndarë, sikur po jetojnë në Ballkan. Edhe për këtë janë të ndarë, se çfarë bëjmë në lagjen tonë”, ka thënë Rama.

Ai ka përshëndetur edhe për idenë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për hapjen e një Komunitetit të Ri Evropian Politik.

E po ashtu ka folur për Serbinë. Ai ka thënë se është dashur të ngre zërin për Serbinë.

“U përpoqa të them se është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit është 80 për qind. Serbia s’është në pozitë të veprojë aq shpejt dhe shtrëngimi aq i madh rrezikon të sjellë efekt krejtësisht të kundërt. Kush do ta paguante më pas? Agjenda evropiane për Serbinë dhe popullin”, ka thënë Rama. “S’duam luftë. S’kemi nevojë për konflikte, gjak, tensione në rajonin tonë. Prandaj ta ruajmë rrugën e përparimit”.