RahoPress zgjedh Personalitetin e Vitit: Dukagjin Gorani, për shkatërrimin e suksesshëm të Lëvizjes Vetëvendosje

Erdhi fundi i vitit. Në këto rrethana festive, si portal serioz, as RahoPress nuk mund të shmangë ritualet standarde të përmbylljes së punës sipas kalendarit gregorian. E nisim me shpalljen e Personalitetit të Vitit. Bordi redaktorial i RahoPress i rreket këtij shkrimi pas një mbledhjeje të gjatë e me diskutim argumentues se kush duhet ta pushtojë ballinën tonë. Nuk është se nuk gjen dot një shqiptar që ta nderosh me këtë çmim. Ka shumë, por ne duhet ta gjejmë të merituarin.

Mes figurave që na mbijnë nga fusha të ndryshme, ne zgjodhëm një nga politika. Pas fiks shtatë orësh diskutime vendosëm për ta nderuar me çmimin e Personalitetit të Vitit, Dukagjin Goranin, një sociolog i zoti, por mbi të gjitha politikan i shkathët. Dikush do të zhgënjehet dhe ndoshta do ta humbas interesimin që ta lexojë deri në fund arsyetimin tonë për ndarjen e çmimit një politikani si zoti Gorani, por ne sugjerojmë që leximi të vazhdojë edhe pas paragrafit të dytë, sepse kah fundi bëhet më interesant.

Duke mos harruar historikun e vjetër të zotit Gorani, që prej para luftës, si gazetar që dinte anglisht e aktivist politik në përpjekjet për çlirim, si një prej themeluesve të Shërbimit Informativ të Kosovës, themeluesve të Grupit Koha e Gazetës Express, e më vonë si këshilltar politik i Hashim Thaçit, ne zgjodhëm misionin e vonë të Goranit si shkas për ndarjen e çmimit.

Kah mesi i vitit 2016, Dukagjin Gorani anëtarësohet në Lëvizjen Vetëvendosje dhe pritet nga ish-sekretari Molliqaj, pas një përkrahjeje të pakusht që ia kishte dhënë subjektit gjatë pjesëmarrjeve të tij në emisionin “Click”. Gorani, siç kuptohet tani, në Vetëvendosje kishte shkuar me një mision malversiv, që ta shkatërrojë atë. Gjatë një viti ose më shumë sa qëndroi aty, ai kritikohej nganjëherë për aktivizëm të zbehtë, për ekspozime të rralla e mungesë protagonizmi. Por, pak njerëz kishin arritur që ta kuptonin se Gorani po punonte në prapaskenë, që Lëvizjen Vetëvendosje ta çajë përgjysmë.

Dhe kështu ndodhi. Gorani, pasi u bë deputet, bashkë me 11 të tjerë lanë Vetëvendosjen duke e akuzuar Albin Kurtin si politikan autoritar që e kontrollon Vetëvendosjen me dorë të hekurt. S’kishin shumë faj, a durohen atkivistët tërë ditën duke brohoritur “Albini, Albini, Albini” e asnjëherë Dugi, Molla (Dardan Molliqaj) ose Visari. Nga toni i zërit, aktivistët hetoheshin se ishin të detyruar të thërrisnin vetëm emrin e Albin Kurtit. Nejse, Gorani duke ua mbushur mendjen 11 deputetëve të tjerë që ta braktisin rrugën e Kurtit, ia la një vragë të rëndë Vetëvendosjes, gjë e cila për çudinë tonë ia rriti votën dhe ia mundësoi fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit. Ai (Gorani) nuk dukej prijësi i grupit, më shumë ngjante në një përcjellës inferior të Dardan Molliqajt. Kështu veprojnë profesionistët!

Dikush mund të pyes se si mund të jetë sukses një gjë e tillë. Pikërisht, RahoPress nuk ndan çmime kaq të rëndësishme aq lehtë. Vizioni i Goranit shkon paksa përtej mundësive tona logjike. Duke e viktimizuar Vetëvendosjen para qytetarëve me simulimin e një sulmi nga një forcë e jashtme me ndikim të brendshëm, ai e forcoi atë, për ta rrënuar përfundimisht në të ardhmen. Ai e kishte kuptuar se Vetëvendosjes mund t’i vije fundi vetëm duke ç’virgjëruar nga paprekshmëria morale e saj, gjendje që ia mirëmbante pozita e saj në opozitë. Vetëvendosje do t’i ndiej pasojat e misionit të Goranit në vitin 2020, kur ta marrë pushtetin dhe të detyrohet t’i zhysë krahët në lloq.

E keni parë se si zoti Kurti e ka diktuar kurthin ku ka rënë, edhe pse vonë. Tash nuk po do ta bëj Qeverinë dhe nuk po e pranon ftesën e Presidentit Thaçi për mandatim, duke e shmangur vazhdimisht atë. Po frikësohet pra. Por rrrugëdalje nuk ka.

Ndërkohë, Gorani nuk duket në sipërfaqe. Nuk i han sharjet e qytetarëve të inatosur. Ato ia lë Fisit, i cili nuk ka haber fort për këto punë. Tash së fundmi e ka pastruar edhe PSD-në, duke mbajtur pranë vetes vetëm ish-rrebelët më të zëshëm të Vetëvendosjes. Rri në kryesi, pozicion relativisht i rëndësishëm, por kontrollon gjithçka, pret me durimin e një politikani të rryer për ta rrëzuar pushtetin e Vetëvendosjes dhe për ta realizuar revolucionin socialdemokrat në Kosovë.

Urime Viti i Ri 2020!

Reklama