Qytetarëve të Kosovës do t’u kërkohet një dozë e vaksinës për të hyrë në lokale

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka bërë të ditur se në një takim që kanë pasur sot me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është diskutuar që pas më së shumti dy javësh, secilit qytetar që dëshiron t’i frekuentojë lokalet e gastronomisë, do të duhet të ketë të paktën një dozë të vaksinës anti-COVID.

Ndërkohë, sipas Shoqatës, nga java e ardhshme, vaksinimi do të jetë i nevojshëm edhe për stafin e gastronomisë.

“Përpos shtimit të rasteve, insentivizimi i popullatës në procesin e vaksinimit është mëse i nevojshëm. Për këtë, edhe SHGK ka filluar fushatën e saj për vaksinimin e gastronomisë dhe popullatës. Kjo e fundit, nga java e ardhshme do të fillojë të jetë e nevojshme edhe për stafin e gastronomisë që të jenë të pajisur me certifikatë të vaksinimit, në kuptim të operimit të biznesit, dhe do të pasojë pas më së shumti dy javësh edhe nevoja që qytetarët të kenë së paku një dozë të vaksinës, në rast të frekuentimit të të gjitha lokaleve të gastronomisë, si restaurante, kafiteri, salla të dasmave, klube të natës dhe aktivitete tjera”, ka bërë të ditur Shoqata e Gastronomisë.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve të gastronomisë që të mobilizojnë sa më shumë stafin dhe klientët që të marrin vaksinat.

“Ju lusim që të shfrytëzoni këtë rast për të mobilizuar sa më shumë stafin tuaj, klientët tuaj që të marrin vaksinat, në mënyrë që të parandalojmë një valë të re epidemiologjike, dhe një mbyllje eventuale, duke dashur të kujdesemi paralelisht edhe për shëndetin publik dhe atë ekonomik”, thuhet në njoftim.

Shoqata po ashtu ka bërë të ditur se orari i operimit të bizneseve do të rritet deri në ora 12:00 të mesnatës, sipas rregulloreve komunale, e poashtu vlen e njëjta edhe për klubet e natës të cilat do të funksionojnë deri në ora 03:00 të mëngjesit, duke mundësuar një operim më të lehtë për të gjitha domenet e gastronomisë, por me kufizimet e cekura më lartë.

Reklama