Pushuesit kosovarë të shqetësuar para votimeve në Shqipëri

Pyetja çfarë do të ndodhë nesër në Shqipëri dhe situata e tensionuar me frikën e përplasjeve ka shqetësuar edhe pushuesit nga Kosova që këtë të shtunë masivisht iu drejtuan plazheve shqiptare. Një pjesë u tremben trazirave, ndaj edhe urojnë që gjithçka të mbyllet pa incidente.

Situata e tensionuar politike dhe frika e përplasjeve gjatë votimit të 30 qershorit ka shqetësuar edhe pushuesit nga Kosova, të cilët masivisht iu drejtuan bregdetit shqiptar, raporton Oranews.

Ndaj urimi është që kjo gjendje e paprecedentë të përfundojë pa incidente.

“Na shqetëson se nuk e dimë çfarë na pret nesër. Duke dëgjuar deklarata të ndryshme, luftë civile, djegia e shkollave… Ka mundësi që do të ikim sot”, thotë një pushues nga Kosova.

Pushuesit i frikësohen trazirave që mund të ndodhin, por pavarësisht kësaj ata që i kanë nisur pushimet kanë vendosur që ditën e votimeve ta kalojnë në Shëngjin.

“Nuk është problem”, thotë një tjetër.

Ndërsa ata qe kishin ardhur vetëm për fundjavë, thonë se do ti ndjekin nga Kosova zhvillimet.

“Mazhoranca të zhvillojë zgjedhje kjo është e papranueshme, nuk ndodh në asnjë vend të botës”, tha një pushues nga Kosova.

Fluksi i kosovarëve që iu drejtuan bregdetit nisi që në orët e para të mëngjesit.

Mbi 7 mijë persona e kaluan doganën deri në orën 09:00.

Shumica kishin si destinacion Shëngjinin e Velipojën.

Plazhet ishin plot në të gjithë bregdetin.

Për një pjesë është vetëm fundjava e fundit e qershorit, ndërsa të tjerë e shfrytëzuan për t’u qetësuar para votimeve të 30 qershorit.

Reklama