Pse sot prindërit kanë dështuar në edukimin e fëmijëve?

Shkruan: Labinot Kunushevci

Është lehtë të krijohet një fëmijë, por është vështirë të formohet një personalitet.

A po dështojnë prindërit bashkëkohorë në formimin e personalitetit te fëmijët e tyre? Njerëz, jo në kuptimin biologjik të qenies, por në kuptimin kulturor të njerëzores. Sepse në botë ka shumë qenie njerëzore, por ka pak njerëzi. Bota nuk vuan për mungesë të natalitetit – shtimit natyror të njerëzve, por për mungesë të njerëzisë. Në një botë të deformimit të vlerave, ku Zoti, solidariteti, humaniteti, dituria, drejtësia, mëshira, empatia dhe familja janë iluzione, njerëzimi është larg njerëzores. Prandaj në epokën moderne njerëzimi e ka të vështirë ta kalojë testin e njerëzores.

Qëllimi themelor i çdo prindi është pavarësimi dhe edukimi i fëmijës, por këtu dështojnë shumë prindër kur i thonë fëmijës ”po” kur duhet t’i thonë ”jo” dhe i thonë ”jo” kur duhet t’i thonë ”po”. Kjo nuk do të thotë se jemi kundër qasjes dhe këndvështrimit liberal apo kundër të drejtave, fleksibilitetit dhe zgjedhjeve personale të fëmijëve, por duhet të ekzistojnë disa vlera dhe rregulla që përcaktojnë dhe kornizojnë orientimin dhe edukimin e fëmijëve në vlera moderne humane dhe profesionale, derisa ata të arrijnë moshën 18-vjeçare të pjekurisë, kur ata i marrin përgjegjësitë ligjore dhe morale në dorë.

Jo pak prindër nga mendjelehtësia thonë: ”Unë me djalin tim apo me vajzën time jemi si shokë”. Këtu bëhet gabimi më i madh në ndërtimin dhe trajtimin e raportit prind – fëmijë, sepse ky raport asnjëherë nuk mund të jetë shoqëror. Ky raport ka tjetër funksion dhe mision. Prindi mund ta respektojë dhe të ketë dashuri pa fund e pa kushte për fëmijën e tij dhe të jetë fleksibil në komunikim, por gjithmonë brenda disa rregullave të lojës dhe parimeve që fëmija nuk bën t’i shkelë apo cenojë. Ai mbetet gjithmonë prind, baba ose nënë, autoriteti më i respektuar në familje. Nëse ai bëhet shok, e humb autoritetin prindëror. Prandaj ne shohim shumë prindër që e pranojnë dështimin e tyre në edukimin e fëmijëve, se si u ka humbur autoriteti prindëror, duke u shprehur me fjalët: ”Më ka dalë djali ose vajza prej dorës”!

Kemi parë se si krekosen disa prindër me notat, nganjëherë të pamerituara, të librezave të fëmijëve që i postojnë në Facebook. Janë po këta që i regjistrojnë fëmijët në shkolla elitare, që kanë emër dhe prestigj, përmes lidhjeve dhe ndikimeve që kanë. Në fund, një fëmijë i tillë, kur rritet dhe ballafaqohet me tregun, sfidohet nga papërgatitja e tij dhe aty fillon zhgënjimi, depresioni, thyerja e iluzioneve dhe dështimi. Sepse emri dhe prestigji nuk garantojnë sukses, prandaj strategjitë e prindërimit janë mjaft të rëndësishme edhe në orientimin arsimor të fëmijëve. Por dështimi i prindërve tregon edhe një gjë: shumë njerëz hyjnë në martesë të papërgatitur emocionalisht, kulturalisht, moralisht, prandaj ato martesa janë disfunksionale, kanë kriza dhe tensione, mungesë harmonie dhe raporte jo të shëndosha.

Një baba apo një nënë të cilët i ofrojnë fëmijës së tyre të gjitha të mirat materiale, privilegje, statuse e të drejta të pakufishme, qasje të pafund dhe të pakontrolluar në rrjete sociale, mjete teknologjike, kujdes maksimal për dukjen fizike, mundësi udhëtimi e shfrytëzimi, liri pa përgjegjësi, por jo edhe kulturë dhe edukim, nuk meritojnë të jenë prindër.

Një prind që nuk e dërgon kurrë fëmijën e tij në bibliotekë, librari apo panair të librit, që nuk e dërgon në teatër, që nuk e dërgon ta vizitojë ndonjë objekt të trashëgimisë kulturore, galeri, muze apo objekt fetar, që nuk i ofron ndonjë dokumentar informues dhe edukues, që nuk e urdhëron në të mirë apo nuk e ndalon nga e keqja, që nuk i intereson se me kënd dhe ku po shoqërohet, se si po i shfrytëzon të drejtat, kohën, paratë, hapësirën, se si sillet dhe komunikon në rrugë, market, qendra tregtare e parqe, që nuk ia mëson vlerën e empatisë, tolerancës, korrektësisë, përgjegjësisë, vetërespektit e devotshmërisë, nuk ka arsye morale të ankohet nëse fëmija i tij përfshihet dhe viktimizohet në ndonjë dukuri socio-patologjike, e sidomos kur kanë fëmijë që tipologjikisht janë energjikë, euforikë dhe hiperaktivë, të cilët meritojnë më shumë kujdes, trajtim dhe edukim. Ndaj tipave të tillë duhet të ketë kujdes maksimal dhe trajtim familjar, jo vetëm shkollor. Duhet t’iu krijojmë mundësi me kapacitetet tona, që energjinë e tepruar dhe hiperaktivitetin që kanë, ta shprehin në vende dhe mënyra të tjera, në natyrë, në sport, në aktivitete të ndryshme, e jo ta instrumentalizojnë në formë bullizmi e vandalizmi në shkollë.

Një prind që sapo ta marrë pagën dhe të sheh ndonjë ofertë për ndonjë produkt teknologjik, seritë e reja të mjeteve teknologjike, e merr djalin apo vajzën e tij dhe me vrap për t’i zënë trendet më të reja të teknologjisë digjitale. Por sa prej tyre me të marrë pagën ia dedikojnë fëmijës një libër dhuratë? Apo duke e regjistruar me një klub, shoqatë, organizatë, nëpërmjet të cilave ai fillon t’i zbulojë dhe shpreh aftësitë, kreativitetin dhe imagjinatën e vet? Apo ta angazhojë në aktivitete humane, vullnetare, qytetare, mjedisore, solidarizuese, komunikuese? T’i ofrojë mundësi që ta vizitojë një vend të ri që të mësojë gjëra të reja? Këto nuk vijnë në shprehje te prindërit që i kanë virtualizuar fëmijët e tyre duke i lënë në pranga të botës së pasigurt virtuale.

Mungesa e interesimit për fëmijë vërehet në shkollë, ku disa prindër nuk interesohen për rezultatin e fëmijës të tyre, nuk vijnë në mbledhjet e thirrura nga kujdestarët e klasave, nuk konsultohen fare, nuk shqetësohen nëse fëmija i tyre mungon pa arsye, nëse ndaj fëmijës së tyre ka ankesa nga ndonjë nxënës apo mësimdhënës, nëse fëmija ankohet për ndonjë nxënës apo mësimdhënës. Pra, nuk interesohen për kontinuitetin e zhvillimit psiko-emocional dhe kulturor të fëmijës në shkollë.

Ata dinë të ndërhyjnë aty ku nuk iu takon, dinë të cenojnë autonominë e mësimdhënësit dhe të kërkojnë për fëmijët e tyre diçka të parealizueshme dhe të pameritueshme. Vetëm kur të mbyllen notat në fund të periudhës apo vitit shkollor, e dinë adresën e shkollës. E disa tek në fund e marrin vesh çfarë lëndë e arsimtarë ka pasë fëmija i tij. Pse duhet një mësimdhënës për hir të presionit të prindit t’i shkelë parimet e veta të vlerësimit? Ndërsa janë disa prindër që nuk lajmërohen dhe nuk kthejnë përgjigje sa herë që kujdestari i thërret për çështje që lidhen me fëmijët e tyre. Nëse mësimdhënësi është korrekt në punën e tij, duke i njoftuar nxënësit dhe prindërit në fillim të vitit shkollor me planifikimin e vlerësimit (instrumentet dhe kriteret e vlerësimit), atëherë prindi s’ka pse t’i futë hundët që ta mësojë mësimdhënësin si ta vlerësojë fëmijën e tij apo ta viktimizojë fëmijën e tij për një notë.

Nëse nuk funksionon komunikimi dhe trekëndëshi pedagogjik nxënës – prind – mësimdhënës, nuk mund të ketë rezultate të mira. Ashtu sikur që kemi edhe prindër që nuk preokupohen se me kënd shoqërohet fëmija i tyre, me kënd komunikon online, çfarë lexon apo shikon në telefonin e tij, kënd e pranon në shoqërinë virtuale të rrjeteve sociale, çfarë higjiene mban, cilat vende i viziton, në çfarë kohe del nga shtëpia apo kur kthehet në shtëpi, në çfarë gjendjeje emocionale është, a e shqetëson diçka, çfarë raportesh ka me shoqërinë e tij, si reagon në raste bullizmi apo është viktimë potenciale e bullizmit. Kjo indiferencë ekstreme e prindërve bashkëkohorë ”liberalë” paraqet rrezik për të ardhmen dhe fatin e fëmijëve.

Edukimi i gabuar i fëmijës fillon që në moshën e hershme, në foshnjëri. Të vetmen mundësi që sot prindërit kanë për t’i nxitur fëmijët e tyre që të ushqehen, e kanë mashtrimin përmes telefonit dhe mjeteve të tjera teknologjike. Fëmija sot pranon të ushqehet nga dora e nënës atëherë kur ajo ia jep telefonin të shikojë video nga YouTube (muzikë e filma të animuar). Atëherë kur ndërveprimi fizik, psiqik dhe kulturor i prindit zëvendësohet me teknologjinë digjitale (TV e smartfonë), me një botë virtuale, tregon krizë dhe disfunksionim familjar, ndërsa në anën tjetër, ka efekt qetësues të rrejshëm sikur opium apo mpirje psikologjike, në mungesë të emocioneve reale.

Të mos flasim për ata prindër që i shohin fëmijët e tyre vetëm kur shkojnë për të fjetur apo kur zgjohen në mëngjes sepse gjithë ditën, përveç punës së domosdoshme, gjejnë kohë për gjithçka, për shëtitje, kafe e dreka me miq e kolegë, për lloj-lloj aktiviteti e aventure, por nuk gjejnë kohë gjatë ditës apo mbrëmjes që të merren me fëmijët e tyre. Një shkëputje fizike, emocionale e komunikuese mes prindit e fëmijës, krijon një boshllëk të pazëvendësueshëm.

Prindërit nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin negativ që ka muzika që nuk përfaqëson vlera artistike kulturore, të cilën fëmijët e tyre vazhdimisht e dëgjojnë. Muzikë e cila e promovon shthurjen morale, fjalorin banal, gjuhën vullgare, femrën si objekt seksi, drogën, dhunën, rivalitetin dhe konfliktet, ekstravagancën dhe komplekset luksoze të këngëtarëve. Kur një këngëtar i tillë shndërrohet në model imitimi nga fëmijët, tregon që e ardhmja e fëmijëve do të jetë fatkeqe dhe e devijuar sepse kjo muzikë vetëm se do ta shtojë agresivitetin, vullgaritetin dhe frustrimin mes të rinjve.

Dhe në anën tjetër, janë për t’u kritikuar shumë ata prindër që ushtrojnë dhunë ndaj grave të tyre, sidomos në prezencë të fëmijëve, duke i rritur fëmijët në ambient të dhunshëm, të cilën dhunë fëmijët e shprehin dhe reflektojnë jashtë shtëpisë. Imagjinoni si ndikon dhuna e burrit mbi grua në psikologjinë dhe emocionalitetin e fëmijës i cili nganjëherë është dëshmitar dhune?

Shikoni si komunikojnë fëmijët mes vete, si shahen mes vete, si luajnë mes vete, me ҫfarë emra fyes e thërrasin njëri-tjetrin. Jo vetëm mes vete, por edhe kur komunikojnë në familje ose në rrugë, nuk tregojnë emocion, respekt, konsideratë, empati, mirënjohje, keqardhje. Nuk përdorin më fjalët ”kërkoj falje”, ”si urdhëroni”, ”ju faleminderit”, ”në rregull”, ”a mundem”, ”ju lutem”. A nuk është mëkat nëse pajtohemi me këtë gjendje kulturore të tyre? Deri te fyerjet që nganjëherë ia bëjnë edhe arsimtarëve të tyre sepse prindi në shtëpi asnjëherë nuk i thotë që arsimtarin duhet ta respektosh. Madje e inkurajon apo e nxitë për një gjuhë dhe qasje të tillë mosrespektuese ndaj arsimtarit, duke e trajtuar mësimdhënësin gjithmonë si fajtor për dështimin e vet në familje.

Nëse analizojmë gjuhën dhe shprehjet që fëmijët në të shumtën e rasteve i përdorin, shohim një varfëri ekstreme të fjalorit, jo vetëm kur komunikojnë e flasin, por edhe kur shkruajnë ese. Një ndikim negativ në mënyrën e komunikimit të fëmijëve e kanë edhe politikanët. Gjuha publike e politikanëve, e deputetëve dhe e qeveritarëve është plot me ofendime, sharje e fyerje, të cilat imitohen nga fëmijët dhe bëhen pjesë e fjalorit të tyre.

Sa prindër sprovohen me sëmundje të fëmijëve, por që paraprakisht të njëjtit asnjëherë nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre tek mjeku për kontroll. Asnjëherë nuk janë konsultuar me ndonjë pediatër a nutricionist. Asnjëherë nuk janë shqetësuar se me ҫka është ushqyer fëmija i tij në shkollë apo jashtë shkollës. Apo në cilat ambiente ka luajtur dhe si kanë ndikuar ato lojëra në shëndetin e tij. Deri tek rastet kur fëmijën e shqetëson një problem shëndetësor, ndërsa prindi pa e trajtuar tek mjeku thotë: ”Pse me dërgu tek mjeku? Hajt se shërohet, i kalon”. Kjo indiferencë i prodhon pasojat edhe në shëndetin e fëmijëve sepse shëndeti varet shumë nga kultura e të ushqyerit, ambienti, emocionaliteti, vizitat e rregullta tek mjeku për shqetësimet eventuale etj.

Nëse një prind shprehet se fëmija i tij është më i mençuri, i ka të gjitha të mirat, të gjitha të drejtat, të gjitha privilegjet, se ia plotëson të gjitha dëshirat dhe kërkesat, se asnjëherë nuk ia prish qejfin, se asnjëherë nuk i thotë jo, se asnjëherë nuk e ndalon për diçka apo nuk e urdhëron për diçka, se asnjëherë nuk gabon fëmija i tij, se e respekton vetëm vullnetin dhe dëshirën e tij, kjo do të ndikojë negativisht te fëmija i tij, sepse fëmijës do t’i krijohet vetëbesimi i rrejshëm, krenaria e tepruar, krekosja absurde, llastimi, duke mos u ndjerë asnjëherë fajtor, i përgjegjshëm, i detyruar, i obliguar etj.

Zakonisht disa prindër që kanë pozita të larta, i lazdrojnë fëmijët e tyre, duke u sillur me arrogancë ndaj gjithë atyre që i qortojnë, kanë vërejtje e kritika ndaj fëmijëve të tyre, duke u thënë fëmijëve: ”Ty djali im, vajza ime, nuk guxon kërkush me ta prish! Kush ta prish, veҫ mu thirrëm! Ti je i lirë, ke të drejtë me bë ҫka të duash!” Kjo gjuhë e prindërve e bën një adoleshent të shkujdesur, të papërgjegjshëm, problematik sepse fëmija e keqpërdorë lirinë e shfrenuar absolute që ia jep prindi, duke u sillur në shoqëri si ”fëmija i të fortit”.

Derisa disa prindër i shndërrojnë fëmijët e tyre në parazitë, përtacë, pasivë, në varësi të përhershme, duke mos i angazhuar kurrë në asnjë punë apo aktivitet në shtëpi apo jashtë saj. Duke u ofruar gjithçka të gatshme e duke mos ua kultivuar asnjë shprehi të punës, duke mos i mësuar për asgjë. Një prind që nuk arrin ta pavarësojë fëmijën e tij, ai prind ka dështuar.

Jo vetëm shprehinë e punës, por prindi duhet t’ia mësojë fëmijës së tij fillimisht idenë dhe konceptin e Zotit, pra si ta besojë Zotin dhe se si ky besim të shndërrohet në normë kulturore të sjelljes. Dhe çdo vepër, sjellje, komunikim, raport apo sukses që e arrin, ta bëjë në mënyrë të sinqertë, duke u treguar empatik, solidar, i drejtë, bashkëpunues, durimtar, kontribues dhe human me të tjerët, duke ndërtuar kështu një sistem të vlerave të cilin e preferon edhe vetë Zoti. Besimi në Zot, i shprehur përmes kujdesit, vetëpërmbajtjes dhe vetërespektit, mund ta ndihmojë shumë fëmijën në zhvillimin dhe krijimin e personalitetit. Pra, përveç rolit që ka ligji dhe vetëdija në shoqëri, respekti për Zotin mund të shërbejë si një formë parandaluese e së keqës, ndaj të cilës fëmjët janë të rrezikuar apo ekspozuar, dhe si një formë sensibilizuese e së mirës, përmes së cilës ata mund të krijojnë vlera të ndryshme. Respektimi i ligjit dhe institucioneve, vetëdija kulturore dhe besimi në Zot, janë tri koncepte kryesore me të cilat prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët.

Një qasje tjetër e gabuar e prindit ndaj fëmijës është mosdhënia e shansit për t’u rrëfyer: nuk pyetet fëmija asnjëherë, nuk i kërkohet llogari, nuk i jepet mundësia që të shprehet, të ankohet, të tregojë situata dhe ngjarje, probleme, dilema dhe nevoja që ka.

Janë disa gjëra që nuk blihen me para, si lumturia, koha, emocioni, qëndrimi dhe puna me fëmijë, vlerat dhe virtytet, rregullat dhe parimet e jetës, të cilat ndikojnë në formimin e personalitetit të fëmijës. Një prind mund t’ia blejë fëmijës së tij dhuratën më të mirë për ditëlindje, por nuk mund t’ia blejë kohën. Nuk mund t’ia blejë respektin, kulturën publike, aftësinë e komunikimit, empatinë, emocionin, dashurinë dhe sinqeritetin, ndershmërinë dhe moralin, imagjinatën dhe kreativitetin, të cilat kërkojnë investim edukativ përgjatë gjithë kohës, në mënyrë sistematike pedagogjike.

Kujtojmë fjalët e fundit lamtumirëse të Steve Jobs, njeriut që bëri revolucion në teknologji dhe ndryshoi mënyrën tonë të jetesës dhe komunikimit përmes themelimit të Apple. Por ai një gjë nuk arriti të ndryshonte: ligjin natyror të jetës. Ai vdiq në moshën 56-vjeçare, në vitin 2011, nga kanceri në pankreas, por fjalët e fundit të bilionerit, në shtratin e sëmundjes, mund të shërbejnë si një motivim dhe të ndryshojnë pikëpamjen e të rinjve për jetën dhe gjithashtu të shërbejnë si një mësim për edukimin e fëmijëve.

I shtrirë në shtrat i sëmurë, rikujtoj gjithë jetën time dhe kuptoj se gjithë kjo famë dhe pasuri me të cilën jam krenuar aq shumë, është zbehur dhe bërë e pakuptimtë përballë vdekjes që po afron. Mund tё punёsosh dikё qё tё ngasё makinёn pёr ty, e tё fitojё para pёr ty, por jo qё tё kalojë sёmundjen pёr ty, thoshte Jobs.

Gjёrat materiale tё humbura mund tё gjenden. Por ёshtё njё gjё qё s’mund tё gjendet kurrё kur humbet: “Jeta”. Kur njeriu shkon nё sallёn e operacionit, kupton se ka edhe njё libёr qё duhet tё mbarojё sё lexuari: “Librin e jetёs sё shёndetshme”. Mos i edukoni fёmijёt tё jenё tё pasur. Edukojini tё jenё tё lumtur, qё kur tё rriten tё dinё vlerёn e gjёrave dhe jo ҫmimin. Mban orё 300 apo 30 dollarёshe, të dyja njësoj e tregojnë kohёn. Mban kuletё ose ҫantё 300 apo 30 dollarёshe, sasia e parave qё kanё brenda ёshtё e njёjtё. Nёse ngasim makinё 150.000 apo 30.000 dollarёshe, rruga dhe distanca janё njёsoj, si dhe nё tё njёjtin destinacion do të na ҫojnë. Nёse pi njё shishe vere 300 apo 30 dollarёshe, pasojat e alkoolit janё njёsoj. Nёse shtёpia ku jetojmё ёshtё 300 apo 3000 sq. ft. (28 apo 279 m²), vetmia ёshtё njёsoj. Do tё kuptosh se lumturia e brendshme nuk vjen nga gjёrat materiale tё kёsaj bote. Nёse fluturon me klasin e parё apo me atё ekonomik, po ra aeroplani, bie edhe ti bashkё me tё. Ndaj, shpresoj tё kuptoni se kur keni shokё e miq tё vjetёr, vёllezёr e motra me tё cilёt flisni, qeshni, bisedoni, kёndoni kёngё, flisni pёr veri-jug-lindje-perёndim, apo qiell e tokё, “kjo ёshtё lumturia e vёrtetё”– ishin këto fjalët e fundit të Steve Jobs.

Indiferenca në familje paraqitet edhe në mënyrën e të ushqyerit të fëmijëve të tyre, sepse prindërit nganjëherë nuk i dinë pasojat e ushqimeve të shpejta që zakonisht i hanë fëmijët e tyre, as pasojat e pijeve energjike dhe të gazuara, as të sheqernave të tepruara që ngacmojnë hormonin e dopaminës së fëmijëve që krijon varësi dhe çrregullime.

Sigurisht që ka edhe prindër të devotshëm që edukojnë me efikasitet fëmijët e tyre, që interesohen me përkushtim, vazhdojnë ta mbajnë qëndrimin prindëror autoritativ, duke u mësuar vlera morale shoqërore dhe qytetare dhe duke i trajtuar me kujdes, duke i mbrojtur të drejtat e tyre, duke i motivuar dhe inkurajuar, prandaj ata pak që janë, mund admirohen për rezultatet që tregojnë. Kemi edhe shembuj të mirë të fëmijëve të suksesshëm falë mbështetjes dhe edukimit të prindërve.

Në anën tjetër, ka edhe fëmijë, që në mungesë edukimi, sillen me mosrespekt dhe arrogancë ndaj prindërve të tyre, duke i shqetësuar, duke i shpërfillur urdhrat dhe parimet e tyre, duke mos i bërë krenarë me punën dhe shkollimin e tyre. Fëmijë që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit për t’u identifikuar apo ekspozuar me prindin e tij – me një ndjenjë ”turpërimi” para shoqërisë, që edhe kur të rriten dhe të pavarësohen, nuk e vizitojnë apo nuk e nderojnë atë, nuk e gëzojnë me ndonjë sukses, me ndonjë dhuratë, nuk e bëjnë të ndjehet krenar, ndikuar nga faktori i shoqërisë dhe medieve sociale.

Lotë që peshojnë më shumë se krejt oqeanet e botës janë lotët e atij prindit, mbi 70 vjeçar, që rastësisht kur e takova një ditë në Prishtinë, i cili kishte ardhë në qytet nga një fshat jashtë Prishtinës, kur e pyeta me kënd jeton, me lotë në sy më tha: Që shtatë vjet jetojë vetë edhe ha me këto duart e mia. I kam tre djem, asnjëri nuk më vizitojnë kurrë”.

Rasti i Thomas Edisonit, sipas KultPlus, shpikësit të njohur të llambës elektrike, sistemit energjetik, mikrofonit, gramafonit dhe telegrafit, që i dhanë hov revolucionit industrial, i cili tha se gjeniu është një përqind talent, nëntëdhjetë e nëntë përqind punë, është shembull shumë i mirë se si duhet t’i qasen prindërit fëmijës së tyre dhe se çfarë fuqie të paimagjinueshme kanë fjalët e prindit.

      Thomas Edison u kthye një ditë nga shkolla me një letër në dorë: “Nënë, këtë letër më ka dhënë mësuesja. Më tha të mos e hap por të ta jap vetëm ty ta lexosh”. Me sytë e përlotur nëna e tij filloi t’ia lexonte të birit me zë të lartë: “Biri yt është një gjeni dhe kjo shkollë është shumë e vogël për të. Ne nuk kemi mjaft mësues të mirë për ta trajnuar, prandaj ju lutemi që ta mësoni vetë në shtëpi”. Shumë vjet më vonë, nëna e tij vdiq dhe Thomas Edisoni ishte bërë një nga shpikësit më të mëdhenj të kohës. Ndërsa kërkonte në sendet dhe letrat e së ëmës, gjeti një letër të mbështjellë. Në të shkruhej: “Zonjë, biri yt është një mendje prishur (i sëmurë mendor). Ne nuk e lejojmë të kthehet më në këtë shkollë”! Edisoni qau për orë të tëra dhe pastaj shkroi në ditarin e tij: “Thomas Alva Edison ishte një fëmijë mendje prishur, i cili me ndihmën e një nëne heroinë u kthye në gjeniun e shekullit”.

Pasojat e mungesës së kulturës publike shprehen edhe në forma dhe mjedise të tjera publike. Shembull: kemi rastet e vjedhjeve dhe të thyerjeve të minibibliotekave publike në lagjet e Prishtinës, ku disa prej tyre që janë sulmuar më shumë se një herë kanë qenë të vendosura në afërsi të shkollave.

Ndërsa organizata e cila kishte realizuar këtë projekt mjaft të rëndësishëm sensibilizues për kulturën e leximit dhe librit, kishte deklaruar në vitin 2019 se do të detyrohen t’i zhvendosin minibibliotekat larg shkollave. Shoqëri atipike dhe paradoksale, që librin dhe leximin e ka aversion dhe jo kulturë.

Një fenomen tjetër, që është pasojë e globalizimit kulturor dhe i imitimit të verbër social, shfaqet në fundin e tetorit, në të cilin ndodhet një natë e veçantë, jo për nga vlera, por për nga vandalizmi. Çdo herë kur autobusët e trafikut urban kalojnë pranë shkollave, siç rëndom i shohim afër shkollave fillore në Prishtinë, fëmijët i gjuajnë me vezë dhe gurë, e sulmojnë pronën publike dhe i shqetësojnë qytetarët.

Ndërsa prindërit indiferentë e inferiorë, nuk shqetësohen fare për ankthin, iluzionet, fantazitë, agresivitetin, frustrimin, fobitë, urrejtjet, bullizmin, që fëmijët e tyre i kultivojnë dhe shprehin. As për imazhin e tyre të deformuar, as për krizën e identitetit nëpër të cilën ata kalojnë, as për rrezikun që u kanoset, as për format tjera asociale dhe atipike që ata i kombinojnë, as për shembullin e keq që si nxënës shkolle e tregojnë.

Kur i pyesja me një rast nxënësit 15-vjeçarë: ”Kur dëshironi ta bleni një produkt në market, çfarë ju tërheq ta bleni atë?”, përgjigjja e tyre dominuese ishte: ”Shija e produktit”.Pra, thjesht se u pëlqen, për shijen dhe hormonin e dopaminës (kënaqësisë), e cila krijon varësi. Ndërsa kur i pyesja nëse para se të blejnë një produkt duhet t’i respektojnë disa kritere, përgjigjja e tyre ishte se duhet ta shikojnë afatin e skadimit të produktit. Por të paktë ishin ata që ishin të vetëdijshëm se para se ta blejnë një produkt, duhet të dinë përbërjen e tij, efektin që ka në organizëm, mënyrën apo vendin e prodhimit, duke i vendosur vetes standard refuzimi të çdo produkti serb. Ishin kureshtarë të mësonin se si identifikohen produktet serbe, për të mos i blerë, ndërsa unë u tregoja përmes barkodit të ambalazhit të produktit dhe u shpjegoja pse nuk duhet t’i blejnë ato – duke e arsyetuar refuzimin e produkteve serbe si formë patriotizmi për shkak të historisë dhe konfliktit, por edhe për shkak të vazhdimësisë së luftës diplomatike dhe politike që po e bën sot Serbia kundër nesh. Prandaj nuk duhet ta financojmë armikun i cili me buxhetin – paratë tona mund të sofistikohet dhe ta përdor çdo kapacitet në dëm të Kosovës. Kur u thoja disa nxënësve që nuk duhet t’i blejnë produktet serbe, disa prej tyre çuditeshin sepse prindërit asnjëherë nuk ua kanë shpjeguar këtë si formë të patriotizmit kulturor.

      ”Disa njerëz vdesin në ditën që lindin” – me këto fjalë të sociologut të njohur gjerman, Erich Fromm, i pata motivuar me një rast nxënësit e shkollës ”Faik Konica”. Por një prind, nënë e një nxënësi, pati reaguar në mesin e prindërve tjerë, duke i cilësuar si jo-adekuate për nxënës. Unë e shpjegoja në kontekstin e motivimit, se Fromm-i kishte aluduar në vdekjen e identitetit të njeriut. Pra, njeriu mund të jetojë biologjikisht, por të jetë i vdekur me identitetin e tij social sepse nuk i shfrytëzon aftësitë për të kontribuar diçka në shoqëri dhe për ta njohur shoqëria për një kontribut. Thjesht jeton si pjesë e turmës dhe jo si personalitet i veçantë. E nxënësve u thoja se ju duhet të përgatiteni që të krijoni një personalitet të veçantë, që shoqëria t’ju njeh për ndonjë kontribut, aktivitet apo sukses në të ardhmen sepse njerëzit që nuk japin kurrfarë kontributi shoqëror në jetën e tyre kanë identitet të vdekur. Aq ”e vështirë” për t’u kuptuar nga një prind paragjykues dhe injorant!

Prindi nuk guxon të krijojë konfuzion te fëmija i tij apo t’ia keqinterpretojë ligjërimin e mësimdhënësit. Shumë fëmijë gjenden në konfuzion dhe të orientuar gabimisht, pa informacionet e duhura sepse u mungon edukimi i duhur familjar dhe publik. Sepse prindërit hezitojnë, kanë komplekse dhe tabu, janë injorantë dhe kanë një mënyrë konsumeriste hedoniste të të jetuarit, duke u treguar indiferentë me fëmijët e tyre, duke i lënë në mëshirë të fatit, në mëshirë të ambientit të pasigurt, në mëshirë të rrethanave të paparashikuara, në mëshirë të shtetit të dobët. Aty ku dështon familja ta ruajë rolin edukativ, duke u shndërruar vetëm në funksion riprodhues e konsumues, aty ka dështuar e gjithë shoqëria. Aty ka dështuar edhe shteti.

Pra, që ta krijojnë një karakter dhe personalitet të fortë te fëmijët, prindërit duhet ta luajnë rolin e tyre edukativ dhe të bashkëpunojnë gjithmonë me shkollën, mësimdhënësit dhe institucionet arsimore, kulturore dhe të mirëqenies. Sepse fëmijët kosovarë kanë aq shumë aftësi, talent, imagjinatë, ide, potencial, saqë është mëkat i madh nëse familja dhe institucionet publike nuk investojnë në ta, duke iu krijuar mundësi që t’i shprehin ato sepse kjo gjeneratë e re pas një kohe do të jetë gjeneratë që do të udhëheqë me vendin.

Reklama