Pse kaq shumë servilë u bënë me Albin Kurtin?

Editorial i RahoPress

Në tri vitet e fundit u bë e qartë gati për secilin se fuqia politike e Albin Kurtit po rritej në mënyrë të pafrenueshme. Dhe, meqë kjo rritje e fuqisë politike e tregoi pafrenueshmërinë pas çdo zhvillimi politik, pamë disa figura të pushteteve të vjetra që po ashtu ngarendën e u bënë pjesë e gjirit të Albin Kurtit. Pikërisht këto figura do t’i quajmë në këtë shkrim si ‘servilë’ për të analizuar ndryshimin politik që sapo ka ndodhur.

‘Fytyrat e vjetra kërkojnë ndryshim

Për shumicën e qytetarëve të Kosovës, kryesisht ata më të papërfshirët, fjala ‘pushtet’ ka një domethënie shumë të qartë e konkrete. Ajo lidhet kryesisht me njerëzit të cilët bartin pushtetin politik e ekonomik të vendit. Prandaj, kërkesa për ‘ndryshim’ është direkt kërkesë për ‘fytyra të reja’, ‘gjak të ri’ apo thjesht ‘gjeneratë të re’ në politikë – që e tregon aspektin identitar, e ndoshta edhe biologjik të pikës nga e cila kjo shtresë njerëzish vrojton.

Pra, meqë ‘ndryshimi’ brenda kushteve të demokracisë mund të jetë shpesh i paprekshëm dhe i pasigurtë në rrafsh ideor, si reformim në kohë krizash, shtresat e shtypura kërkojnë me ngulm ‘njerëz të rinj’ që të sigurohen për ‘ndryshimin’ e kërkuar.

Mu për këtë arsye lindi edhe irritimi i madh nga ‘fytyrat e vjetra’ që papritmas u bënë pjesë e pushtetit të ri, dhe e ndryshimit.

Por, fjala ‘pushtet’ dhe ajo ‘ndryshim’ ka tjetër kuptim për vetë ‘pushtetin’. Njerëzit që janë pjesë e grupeve të caktuara të interesit, natyrisht, kanë interesa për të mbrojtur dhe për atë shkak e shohin ‘pushtetin politik’ të lidhur edhe me pushtetin moral, namin, strukturën e prodhimit, kahjen ekonomike të vendit – përveç përfaqësimit dhe simbolikave të caktuara.

Afrimi i Kurtit me pushtetin bëri që shumë njerëz të ndjenin rrezikun për interesat që kishin shtënë në dorë. Dhe prandaj, sa më shumë që afrohej Kurti me pushtetin, aq më shumë u afruan ata me Kurtin – duke u bërë tash, kur ai erdhi në pushtet, njerëzit më pasionantë për liderin e ri.

“Servili mund ta ndërrojë shefin, por pa të s’bën dot. Kjo punë e ulët nuk njeh dinjitet. Suksesi i servilëve matet me shkallën e instrumentalizimit. Nganjëherë, ata duhet ta tejkalojnë edhe nivelin e të zotit për ta dëshmuar besnikërinë.” – shkruante vetë Vetëvendosje më 5 gusht të vitit 2017.

Ura që bashkoi VV-në me servilët

E thamë se fjala ‘pushtet’ ka tjetër kuptim për vetë pushtetin. E natyrisht, kuptimi i vetë pushtetit ndërroi edhe për Kurtin dhe partinë e tij, sapo këta të fundit iu afruan pushtetit.

Përkundër asaj që shpreh Vetëvendosje për servilët më 2017, partia në fjalë duket se e ka kuptuar rëndësinë e madhe të servilëve për të kryer punë.

Megjithëse ne këtu flasim kryesisht për atë servilë të cilët i shërbyen më herët edhe klanit Pronto, të cilët po i quajmë kushtimisht ‘servilë të jashtëm’, Vetëvendosje në fakt e ka dëshmuar kërkesën e lartë të besnikërisë për anëtarët dhe aktivistët e saj; një kërkesë kjo që qoftë edhe pa dashje mund të shërbejë si mekanizëm për prodhimin e servilëve nga brenda. Dhe, është evidente se Vetëvendosje prodhoi servilët e saj – të gatshëm të ndërronin qëndrimet edhe dy herë në ditë për liderin e tyre.

Uniformiteti në mendim përdëshmohet ditë për ditë nga struktura e njëjtë e të shkruarit e e të folurit të qindra e mijëra aktivistëve dhe anëtarëve të lartë të Vetëvendosjes – ndoshta edhe si shenjë e frikës nga denoncimi partiak për devijim politik. Kjo krijon përshtypjen se brenda Vetëvendosjes, parti rebele dhe e panënshtruar, nuk të falet vetëm një gjë: të mos jesh servil.

Ky kor i madh aktivistësh që thonë të njëjtën gjë, në të njëjtën formë, ka krijuar vetëvetiu një organ të fuqishëm diskursiv çindividualizues që përthithte pangopësisht zërin e kujtdo që kishte tundimin të bashkohej. E këtu ishte hapësira që gjetën ish-servilët e pushtetit të vjetër.

Ata mund të kishin gjynahet e tyre, por mund të bërtisnin edhe më me forcë parullat e ndryshimit.

Kurti dhe servilët

Vetë Albin Kurti u tregua i gatshëm t’i priste të gjithë këta njerëz që i përkisnin të vjetrës, dhe prandaj vetë ai dhe partia e tij u cilësuan si priftërinj që ‘falnin gjynahe’.

Për Kurtin, duket se ndryshimi ka të bëj ekskluzivisht me kahjen e re të procesve ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi. Duket se Kurtit s’i bën aq për servilët e shumtë që dalëngadalë u bënë pjesë qendrore e fytyrave të pushtetit të tij.

Por, Kurti – një rebel frymëzues individualisht – me t’u afruar me pushtetin duket se e kuptoi njëkohshëm edhe rëndësinë e madhe që kishin njerëzit të cilit bindeshin pa përsëdytur fjalën. Dhe kjo i konvenoi, me servilët brenda e me servilët që i mori pranë nga jashtë.

Duke qenë i mahnitur nga pushteti që gëzon dhe dashuria dehëse e popullit, duket se ai u çmagjeps krejtësisht nga ‘ndryshimi’ në vetvete që i lypte jo veç t’i jepte reformim sistemit, e me këtë imazh të ri, por edhe të ndërronte njerëzit e vetë strukturën sociale të korruptuar. Ai duket se është krejtësisht i gatshëm, njëjtë si bashkëpartiakët e tij, që të falë çfarëdo gjynahu të servilëve të ardhur nga partitë e vjetra me një këmbim fare të thjeshtë: instrumentalizimin e tyre.

Përkundër që shoqëria shqiptare ka treguar një karakter të papërkulur dhe kryengritës në raport me çfarëdo pushteti, pa marrë parasysh egërsinë që kishte, ka treguar njëkohësisht edhe një kapacitet të jashtëzakonshëm për servilitet. Asnjë pushtet nuk ka pasur deri tash apetit aq të madh për t’i shërbyer, sa kishte shoqëria jonë kapacitet për t’u serviluar. Baraz me luftëtarë të paepur, duket se historia diktoi edhe prodhimin e servilëve të paepur.

Reklama