Pse jam kandidat në zgjedhjet e 17 tetorit

Kuvendi Komunal është një prej institucioneve më të rëndësishme, ku përfaqësohet vullneti i qytetarëve të komunës. Po ashtu, në Kuvend nisen dhe merren vendimet më të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve. Në kohën kur për Kuvendin Komunal është krijuar përshtypja se nuk është institucion shumë i rëndësishëm, e vërteta qëndron në anën tjetër, prandaj unë kam vendosur të jem kandidat për Kuvendin Komunal të Rahovecit, duke u bërë pjesë e listës AAK-së, që përfaqësohet nga Kryetari Smajl Latifi.

Përgjatë katër viteve të fundit, si drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, i kam njohur më mirë qytetarët e Rahovecit, i kam parë dhe ndjerë rrethanat e tyre të jetës, i kam identifikuar problemet dhe nevojat e tyre. Kuvendi Komunal është vendi ku mund të iniciohen shumë projekte, që u japin zgjidhje nevojave që i kanë qytetarët.

Si pjesë e Kuvendit Komunal, planifikoj që t’i shërbejë komunës së Rahovecit dhe të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Duke nisur nga bujqësia, arsimi e shëndetësia, do të jem pro-aktiv, energjik dhe me vullnet për të shtyrë drejt miratimit projekte të mira në infrastrukturë, mjedis, planifikim urban e sektorë të tjerë. Por, si prioritet do t’i kem tri projekte më konkrete, me të cilat do të merrem fillimisht dhe më shumë.

AGROTURIZMI – Është koha që bujqësia në Rahovec të marr dimension të ri zhvillimi dhe që komunës sonë t’ia dinamizojë ekonominë. Viteve të fundit kam vërejtur një agroturizëm të paorganizuar që po merr formë në Rahovec. Këtij potenciali ne duhet t’i japim mbështetjen institucionale, duke e krijuar programin serioz që do ta bënte Rahovecin atraksion turistik në saje të bujqësisë që e ka. Këtë ide e kam biseduar edhe me Kryetarin Latifi disa herë dhe tash agroturizmi është një prej pikave kryesore të planit qeverisës për mandatin e radhës, për të cilën unë do të përkujdesëm si anëtar i Kuvendit.

SHESHI QENDROR I QYTETIT – Gjysma e punës është kryer, gjysma duhet të kryhet. Sheshi Qendror i Qytetit të Rahovecit, do të jetë njëri prej projekteve më të veçanta urbanistike në tërë Kosovën. Ishte shpallur garë ndërkombëtare për dizajnimin e këtij projekti, ku ishin interesuar studio të arkitekturës nga e tërë bota që t’ia japin formën sheshit në Rahovec. I gjithë procesi deri në shpalljen e konkursit ndërkombëtar është asistuar nga UN-Habitati. Në konkurs fitues dolën arkitektë të shquar ndërkombëtarë. Tani është shpallur tenderi dhe jemi afër lidhjes së kontratës për ndërtim. Meqë Qeveria aktuale nuk e ka mbështetur deri tani dhe e ka tërhequr buxhetin për financimin e projektit për këtë vit, unë si anëtar i Kuvendit Komunal do të insistoj që nëse ky projekt nuk financohet nga Qeveria e Kosovës, do të kërkoj gjetjen e mënyrave të përshtatshme që projekti të financohet me buxhetin e komunës. Po ashtu, do të kërkoj që këtij projektit t’i bëhet mbikëqyrje e veçantë deri në realizimin përfundimtar, sipas konceptit fitues ndërkombëtar, të vlerësuar nga juria profesionale.

MEMORIAL PËR VIKTIMAT CIVILE TË LUFTËS – Janë mbi 800 civil të vrarë në komunën e Rahovecit në periudhën ‘98-’99. Është e nevojshme që të ngrihet një memorial në Rahovec, në shenjë nderimi dhe përkujtimi, por edhe si vepër dëshmie e krimeve dhe barbarisë serbe mbi fëmijët, gratë e pleqtë. Secili prej tyre kishte identitetin e historinë e vet. Ata meritojnë të mos harrohen, që të mos përfundojnë vetëm si shprehje statistikore. Duhet të ecim përpara duke mos e harruar historinë. Mund të jetë bërë klishe thënia që historia u përsëritet atyre që e harrojnë, por është kaq e vërtetë dhe domethënëse. Unë, si anëtar i Kuvendit Komunal, do të jem iniciues për ngritjen e këtij memoriali dhe paraprakisht do të bashkëpunoj me organizatat që merren me trashëgiminë e errët të Kosovës.

Shkrim autorial nga kandidati për KK, Rahovec: Rumir Zhuniqi

Reklama