Pse FSK-ja ka plotësisht të drejtë për tatuazhet?

Shkruan: Durim Abdullahu

Sot, hapësira publike dhe mediale e riprodhoi si lajm, një status të një personi me emrin Ermelind Kastrati nga Gjilani. Duke mos zotëruar shqipen e shkruar as në nivel elementar, ky 24 vjeçar me një tekst shatrapatra, përplot gabime logjike, drejtshkrimore dhe gramatikore, përpiqej të shpjegonte në formë denoncimi, që bashkë me mbi 10 të tjerë që ishin në procedura rekrutimi, ishin refuzuar nga FSK-ja për shkak se kishin patur tatuazhe në pjesë të dukshme të trupit, në kundërshtim me vetë kushtet e konkursit, ku shkruhet: “Të mos ketë tatuazhe në fytyrë, qafë dhe parakrah nga pjesa e bicepsit e deri te gishtat e dorës duke përfshirë edhe pirsingun. (Në rast përzgjedhjeje, kandidatët janë të obliguar të bëjnë heqjen e tyre paraprakisht, në afatin kohor deri në trajnimin bazik, në të kundërtën do të diskualifikohen).”

Qartazi, personi në fjalë nuk i ka plotësuar kushtet për tu rekrutuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për çka FSK-ja me të drejtë e ka diskualifikuar sikur edhe të tjerët, sikur edhe në konkurset e tjera në të kaluarën. Megjithëse kjo pikë e konkursit do të duhej të ishte lexuar si paralajmërim dhe mbase të përjetohej si pamundësim nga ana e E. Kastratit, me sa duket, ai ka shpresuar në mosrelevancën e kësaj pike ose në mosvëmendjen e autoriteteve të FSK-së që do t’i krijonte atij hapësirë të ‘përvidhej’ brenda Forcës.

Pas vullnetit për të shërbyer, disiplina është një nga parakushtet e të gjitha ushtrive. E. Kastrati e ka ritheksuar vullnetin e tij për të shërbyer teksa ka shpërfaqur një karakter krejtësisht të papërshtatshëm për një ushtar, teksa nëpërmjet një denoncimi publik dhe dhënies interviste për media, i ka bërë presion deri në shantazhë FSK-së, institucionit ku mëton(te) të bëhej pjesë. Kjo kuptohet nga një status i dytë i bërë prej tij, ku ai me sa duket ka marrë guxim nga “përkrahja” e pandehur publike, aq sa hapur u kërkon Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së – për të thjesht “Ministria dhe Shtabi i përgjithshëm” – “qe ta zgjidhin këte qeshtje”. Në fakt, këtu nuk ka çështje fare.

Ndonëse deri në shek. XIX kogja e përhapur si traditë popullore, kultura e tatuazheve të shqiptarët e Kosovës është kthyer në një trend vetëm diku në dekadën e fundit. Por për shumicën e atyre që janë të moshës së dytë dhe të tretë, një person me tatuazhe përgjithësisht shihet me sy paksa të dyshimt dhe asociohet me persona delikuent. Kjo do ta bënte të pabesueshëm një ushtar me tatuazhe, veçanërisht për qytetarët e moshës mbi 50 vjeç.

Ankesa denoncuese e tij bëhet edhe më patetike teksa e paraqet atë duke e lidhur edhe me përmbajtjen e tatuazhit të tij, disa vargje të një poezie të recituara nga komandanti i UÇK-së, Agim Ramadani: “M’u shterrshin sytë nëse pushoj/lirinë tande me andrrue./Mallkue qoftë gjaku im/nëse m’vrasin pa luftue.” Prej atëherë, kjo poezi e cila kryesisht ka qarkulluar si e shkruara prej vetë Agim Ramadanit dhe me shumë gjasë, edhe vetë E. Kastrati nuk e ka ditur se fjala është për vargje të shkruara nga mësuesi dhe patrioti Bedri Gjinaj (1913 – 1945), i torturuar deri në vdekje nga OZNA në Prishtinë.

I njëjti, E. Kastrati, tregon se sa i padobishëm do të ishte për FSK-në dhe për secilin institucion të Republikës së Kosovës, teksa ka përmbyllur statusin e tij me fjalët: “MARRE ska shtet as kurr ska me pas”. Dikush që e mohon shtetin e Kosovës dhe që beson se ai kurrë nuk do të bëhet, nuk do të duhej të rekrutohej në FSK qoftë dhe vetëm për këtë deklaratë.

FSK-ja ka nevojë për ushtarë profesionistë, të gatshëm për t’iu nënshtruar – pikërisht për t’iu nënshtruar – rregullave, disiplinës dhe eprorëve si dhe për tu aftësuar duke ndjekur trajnime dhe shkollime ushtarake. Andaj, FSK-ja ka patur plotësisht të drejt kur ka diskualifikuar rekrutët me tatuazhe. Që prej themelimit të saj më 2009, Forca e Sigurisë së Kosovës ka rezultuar në vazhdimësi institucioni më i besuar në Republikën e Kosovës. Për të mbetur e tillë, ajo duhet të tregojë që nuk është si institucionet e tjera, dhe se autonomia e saj është dhe autentitcitet!