PSD-ja shkel orën policore, zhvillon aksion simbolik për ta kundërshtuar këtë masë

Partia Social Demokrate e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën pikërisht në ora 22:00 të natës kur edhe nis ora policore, një aksion simbolik tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës për ta kundërshtuar këtë masë.

Dardan Molliqaj nga PSD-ja ka thënë se ata nuk po kundërshtojnë të gjitha masat e vendosura nga Qeveria por vetëm masën e orës policore nga ora 10:00 deri në ora 05:00.

“Jemi këtu për të treguar qëndrimin lidhur me menaxhimin e pandemisë, ne nuk jemi kundër masave të qeverisë pasi jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë me pandeminë mirëpo kundërshtojmë fuqishëm orën policore e cila është vendosur shabllon pasi qeveria Kurti nuk ka menduar më gjatë për të ndërmarrë një masë të tillë”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, Qeveria Kurti i ka vendosur këto masa pak ditë pasi është bërë zgjedhja e presidentes së Kosovës, duke thënë se nuk është menduar gjatë para vendosjes së tyre ashtu siç është thënë nga ekzekutivi.

Molliqaj po ashtu ka kritikuar edhe refuzimin e vaksinave nga Shqipëria duke e quajtur këtë krejtësisht politike.

“Refuzimi i vaksinës nga Shqipëria është një masë e papërgjegjshme. Bota perëndimore po vuan nga kapitalizmit. Ata po vaksinohen në masë për veti dhe solidariteti është zero. Refuzimi i Kosovës është krejtësisht politik”

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID më 5 prill.

Me të njëjtat masa është vendosur kufizim i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit.

Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.

Reklama