PSD-ja “dënon” krijimin e Superligës evropiane në futboll

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, ka “dënuar” krijimin e Superligës evropiane në futboll, që është themeluar sot nga 12 klube të mëdha.

Hyseni në një postim në Facebook, ka thënë se 12 pronarë klubesh vendosin për fatin e futbollit. Ai madje e ka quajtur kartel të futbollit këtë organizim që është kritikuar nga shumë krerë shtetesh, organizata të futbollit e të tjerë.

“Super Liga Evropiane është kartel i futbollit. 12 ekipet më të pasura në Evropë po e formojnë një ligë të re. Paskan vendosur bosët se si do të organizohet e si do të duket sporti më i shikuar e më i dashur në botë. Kjo nismë shkatërron klube e shteron qytete. S’ka më arsye për investime e kualifikim. Livorno ose Leeds praktikisht s’do të mund të luajnë kurrë me Barcelonën ose Realin. Pronari i Juventusit, Agnelli, paska deklaruar se këto klube ‘përfaqësojnë’ qindra miliona adhurues në mbarë botën. 12 pronarë po vendosin për të ardhmen e futbollit. Shpesh ndodh që këta s’janë as ndjekës të futbollit”, ka thënë ndër të tjera Hyseni.

Partia e tij në zgjedhjet e fundit, ato të 14 shkurtit nuk mori pjesë, ndërkohë në ato të vitit 2019, mori pjesë në koalicion me AAK-në, por nuk fitoi asnjë mandat deputeti.

Reklama