Protagonistët e rastit “Pronto” shpallen të pafajshëm

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’, në të cilin protagonist kryesor është ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Bashkë me Grabovcin akuza përfshin edhe 10 persona me funksione të larta zyrtare, ku bëjnë pjesë edhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe deputeti Zenun Pajaziti.

Po ashtu, në akuzë përmenden edhe dy ish-sekretarë të përgjithshëm të ministrive, një ish-zëvendësministër, këshilltarë politikë si dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe zyrtarë nga pushteti lokal.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Shasivar Hoti, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.

“Trupi Gjykues shpall këtë aktgjykim ndaj të pandehurve, Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sadat Gashi, Ismet Neziri, Xhavit Rakaj, Rexhë Abazi – në emër të popullit në kuptim të dispozitave të nenit 364, paragrafi 1, pika 3, ata lirohen nga akuza për vepra penale për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës sepse nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen”, tha gjyqtari Hoti.

Në muajin prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë për rastin e njohur si “Pronto”. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale.

Ngritja e aktakuzës, kishte pasuar publikimin në media të bisedave telefonike të vitit 2011 të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë veç tjerash edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe ish- kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Avokati Besnik Berisha që në këtë rast përfaqëson ish-ministrin Besim Beqaj, ka thënë se ky proces ka dëshmuar që Prokuroria është e ngufatur.

Pas shpalljes se vendimit, para gazetarëve, Berisha është shprehur se hetimi dhe aktakuza në këtë rast kanë qenë selektive.

“Nocioni “Pronto” nuk ka qenë i përdorur nga asnjë nga këta të cilët ishin pjesë e gjykimeve. Njëkohësisht, diskutimet tjera që ishin lidhur me eprorët në atë kohë qoftë të Kuvendit, qoftë të Qeverisë, Prokuroria nuk ka pasur guxim as si dëshmitar t’i ftojë e jo të provojë të akuzojë. Vetë ky fakt e dëshmon se kjo Prokurori mund të quhet e dështuar sikur se në shumë raste të tjera,e kapur apo e ngufatur”, tha Berisha.

Kjo aktakuzë e ngritur, është vlerësuar nga shoqëria civile si një ndër lëndët më me ndikim në luftën, siç është thënë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në Kosovë, rast ky, që sipas shoqërisë civile, ka sfiduar edhe drejtësinë në Kosovë.

Pas shpalljes së aktvendimit, nga shoqëria civile kanë qenë mjaft të shpejta reagimet.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, institut ky që monitoron punën e sistemit të drejtësisë, thotë se fillimisht aktakuza është ngritur duke u bazuar në presionin publik dhe jo në atë që kanë ofruar prova dhe dëshmi.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Musliu thotë se qytetarët nuk mund të presin se profili i lartë në Kosovë mund të dënohet nga ky sistem i drejtësisë në Kosovë.

“Thjeshtë po të kishte hetim dhe ndjekje të duhur të këtij rasti, atëherë në listën e të akuzuarve do të fillonte dikush tjetër e nuk do të fillonte me këta që janë postierë të cilët janë përfshirë në aktakuzë. Prandaj, sot shpallja e këtij aktgjykimi të pafajshëm për të gjithë të akuzuarit dëshmon që ka ndodhur ajo që është pritur në vazhdimësi”, tha Musliu.

“Më në fund edhe një aktatakuzë e kotë dështon në Gjykatë”, tha Musliu, i cili ka bërë komente edhe në profilin e tij në Facebook.

Reklama