Pronari i Shell Kosova rrah një person në pompën në Veternik dhe ikën nga vendi i ngjarjes

Lulëzim Kryeziu i ‘Shell Kosova’ është denoncuar mbrëmë për rrahje nga një person. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në pikën e Shell Kosova në Veternik të Prishtinës. Kryeziu ka ikur nga vendi i ngjarjes duke iu shmangur policisë.

Një person është rrahur të hënën në mbrëmje në pikën e derivateve ‘Shell Kosova’ në Prishtinë.

Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se pronari i kompanisë “Shell Kosova”, Lulzim Kryeziu, ka rrahur një person në pikën e tij të derivateve në Veternik, duke i shkaktuar lëndime.

Kryeziu pasi ka rrahur personin ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin për Reporteri.net.

“Ankuesi mashkull kosovar, raporton se në një pompë të derivateve në Veternik në ora 18:05 është sulmuar fizikisht nga pronari i firmës i dyshuari mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, atij i është ofruar tretman mjekësor”.

“I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Flora Ahmeti për Reporteri.net.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me e-mail edhe kompaninë ‘Shell Kosova’ për rastin në fjalë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Lulëzim Kryeziu është një prej pronarëve të kompanisë “Al-Petrol ShPK” e cila ka licensen e përdorimit të emrit të ‘Shell’ në Kosovë, në pikat e saj të derivateve.

Lulëzimi është djali i themeluesit tashmë të ndjerë të kësaj kompanie Latif Kryeziu.

Reklama