Promovohet monografia “Deri në frymën e fundit” kushtuar dëshmorit Skender Gashi

Në qendrën kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec u bë promovimi i monografisë “Deri në frymën e fundit” – Rrugëtimi atdhetar i dëshmorit Skender Gashi, me autor Qemajl Krasniqin.

Me këtë rast kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ndër të tjera potencoi faktin se Skender Gashi u kthye nga Austria sapo nisi lufta çlirimtarenë Kosovë, duke e shlyer në këtë mënyrë obligimin e tij ndaj atdheut. Mirëpo, ai nuk u kthye atje as pas përfundimit të luftës, duke u bërë pjesë e strukturave të larta drejtuese të TMK-së në Prizren. Kontributi i këtij luftëtari të lirisë është shëmbëlltyrë e veçantë dhe ai është emër i përveçëm në histori.

Ndërsa redaktori i monografisë Prof. dr. Sabahajdin Cena, ndër të tjera shtoi, “Në këtë trajtesë monografike janë radhitur fragmentet e jetës së Skenderit e që janë fryt i kujtesës së shokëve të fëmijërisë, të rinisë e të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, që janë kontribute të tij pas braktisjes së Austrisë, ashtu si shumë kurbetçarë të tjerë, vetëm e vetëm që t’i bashkohet luftës çlirimtare… Të gjitha këto Krasniqi i shtron me një krah të pozitivizmit historik, mbështjellë me petkun e metodologjisë bashkëkohore, pohoi Cena.

Për monografinë ka folur edhe vëllai i dëshmorit Sokol Gashi, i cili e ka vlerësuar kontributin e autorit, si dhe të gjithë atyre që kanë kontribuuar për daljen në dritë të kësaj vepre historike.

Ndërse vetë autori, Qemajl Krasniqi ka pohuar se ky është vetëm një pjesë e borxhit që shoqëria e ka ndaj dëshmorëve, atyre që me vetëmohim ecën rrugës së lavdisë e krenarisë kombëtare.

Në emër të familjes Gashi nga Sopniqi ka falënderuar i biri i dëshmorit Valmiri, i cili ndër të tjera shtoi se, kjo monografi është dhurata më e mirë që shokët e luftës kanë mundur t’ia bëjnë të atit të tij në ditëlindjen e pesëdhjetë, sepse dëshmorët vetëm ditëlindje kanë.

Promovimi u organizua në kuadër të manifestimeve komunale “Ditët e mërgatës”.