Prodhuesit e betonit i shkruajnë Kurtit për çmimin e çimentos: Nga 90 euro për ton ka shkuar në 150

Nga 90 në 150 euro për një ton çimento po detyrohen të paguajnë prodhuesit e betonit në Kosovë.

Kjo ka bërë që prodhuesit e betonit t’i drejtohen kryeministrit Albin Kurti me një letër, ku ankohen për ngritjen e çmimit të kësaj lënde.

Në letër thuhet se puna e tyre është bërë e papërballueshme si pasojë e rritjes së çmimeve të çimentos, si lëndë e parë për prodhimin e betonit.

“Ndryshimet vetëm në vitin aktual janë të papërballueshme për mbarëvajtjen e procesit të punëve tona si prodhues dhe të gjithë sektorit të ndërmarrësisë, kjo pasi që nga janari që ishte çmimi 90 euro për ton në këtë moment ka arritur në 150 euro”, thuhet tutje.

Konsumi vjetor i çimentos arrin në rreth 1.2 milion euro dhe prejardhja është kryesisht nga “Sharrcem”-i, Fushë-Kruja e Shkupi.

Pronarët e fabrikave të betonit kanë vlerësuar se, në këtë formë atyre po u shkaktohen humbje të mëdha.

“1.2 milionë tonë me ndryshim në çmim prej 60 euro për ton, 72 milionë euro ndryshim që konsiderojmë se i fitojnë prodhuesit e cementit dhe tregtarët e cementit në dëm të prodhuesve të betonit dhe sektorit të ndërtimtarisë. Po ashtu, marrë parasysh që kemi kontrata të mëhershme për furnizim me beton me çmime të volitshme, kjo po bëhet e papërballueshme dhe do të na shkaktojë humbje”, thuhet më tutje në letër.

Pronarët e këtyre fabrikave kanë kërkuar hetime nga Autoriteti i Konkurrencës, pasi dyshojnë se rritja e çmimeve është bërë në mënyrë të organizuar.

“Kërkojmë nga Autoriteti i Konkurrencës që ta hetojë këtë dukuri pasi që sipas informacioneve që kemi ne si tregtar, fabrikat e cementit në vendet e origjinës nuk i kanë ngriut çmimet por ngritja e çmimeve është duke ndodhur vetëm në Kosovë”, përfundon letra, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet.