Priten njohje të reja pas asaj të Izraelit, çështja e ambasadës mbetet e paqartë

Të hënën, më 1 shkurt 2021, Izraeli dhe Kosova kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike dhe kanë njohur pavarësinë e njëra-tjetrës e me këtë rast, Kosova ka pranuar që ambasadën e saj ta vendos në Jerusalem – vend ky, problematik për rajonin atje.

Izraeli, si një nga shtetet më të fuqishme në botë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës deri në shkurt të këtij viti dhe arsyet për këtë kanë qenë nga më të ndryshmet, por pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Izraeli dhe Kosova miqësinë e vjetër e kanë formalizuar me marrëdhënie diplomatike, shkruan lajmi.net.

Por, sa është e rëndësishme njohja nga Izraeli dhe si do të ndikojë kjo tek shtetet e tjera mos-njohëse ndaj pavarësisë së Kosovës?

Profesori universitar dhe njohësi i politikave të jashtme, Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se njohja nga Izraeli ka rëndësi të veçantë gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Sipas tij, njohja nga një vend i rëndësishëm si Izraeli do të jetë njëra nga shtytësit kryesorë të procesit të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

“E para njohja nga Izraeli pas një periudhe mjaft të gjatë kohore kur Kosova nuk ka pasur njohje nga vende të ndryshme anëtare të OKB-së e aq më pak nga vende të rëndësishme që kanë peshë gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Absolutisht është shumë e rëndësishme. Tu pasë parasysh që është një nga vendet më të rëndësishme në nivel bote dhe njohja nga Izraeli është njëra nga shtytësit kryesorë të procesit të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.”, tha Mazreku për lajmi.net.

Gjithashtu, Mazreku tha se edhe shumë shtete të tjera do ta pasojnë aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit dhe me këtë rast, sipas tij, BE po e humb gradualisht rolin që e ka pasur në procesin e konkludimit të zgjidhjes së problemeve në Ballkanin Perëndimor.

Sipas profesor Mazrekut, Kosova në planin global është pozicionuar kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë Izraeli, me të drejtë.

“Pas kësaj njohje mendoj se edhe shtetet e tjera do ta pasojnë aktin e njohjes nga shteti i Izraelit dhe rrjedhimisht Kosova në fakt, vendet e Bashkimit Evropian është duke e humbur gradualisht rolin që e ka pasur në procesin e konkludimit të zgjidhjes së problemeve të Ballkanit Perëndimor, përderisa procesi i pavarësisë së Kosovës është proces i pakthyeshëm, nga ana e BE-së ky proces është kontestuar dhe vazhdon të kontestohet, ndërsa shtetet e tjera mike si SHBA-të dhe roli i SHBA-ve në njohjen nga shteti i Izraelit, Kosova në planin global pozicionohet kah ato shtete, me të drejtë.”, tha Mazreku.

Në pyetjen nëse angazhimi aktiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çështjen e Kosovës është mesazh për Bashkimin Evropian, Mazreku shprehet se ky më tepër se mesazh është veprim i SHBA-ve dhe sipas tij është koha kur SHBA-të do të punojnë në funksion të bërjes realitet të pavarësisë së Kosovës pas dështimit të BE-së.

“Unë nuk do e quaja vetëm mesazh veprimin e fundit, përkrahjen dhe rolin e SHBA-ve, por do ta kisha quajtur veprim konkret sepse koha kur SHBA-të kanë dhënë mesazhe ndaj BE-së për zgjidhjen finale për Kosovën është ai që e ka rolin në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë në funksion të gjetjes së një zgjidhje evropiane për një problem evropian, duket se koha e mesazheve ka kaluar. Tash është koha kur SHBA-të do të punojnë në funksion të bërjes realitet të pavarësisë së Kosovës.”, tha Mazreku.

Më tutje, në pyetjen referuar deklaratës së ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca i cili është shprehur se nëse Bashkimi Evropian kërkon që Kosova ta largojë ambasadën nga Jerusalemi ku është bërë marrëveshja që të vendoset, atëherë kjo do të rishqyrtohet, Mazreku thotë se BE nuk do të kërkojë diçka të tillë.

Sipas Mazrekut, kjo do të ishte kontradiktore, pasi BE po i kërkon diçka një shteti që nuk ia njeh pavarësinë dhe nëse BE e bën këtë kërkesë ndaj Kosovës dhe ndërhyn në marrëdhëniet bilaterale të Kosovës me një vend tjetër, po i kërkon të heq dorë nga pavarësia dhe nga shtetësia.

“E para unë nuk mendoj se BE do të kërkojë një gjë të tillë, e dyta edhe nëse kërkohet një gjë e tillë, kjo e vendos në situatë kontradiktore BE-në sepse po flet për një vend që nuk e njeh, për shtetësinë e Kosovës, dhe çdo gjë që ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës, derisa BE nuk e njeh, nuk ka të drejtë t’i kërkojë Kosovës as të sillet në atë mënyrë sikur don me e vendosë Kosovën në pozicion ku vet Kosova të heq dorë nga pavarësia e saj. T’i kërkojë BE-ja Kosovës diçka për një raport bilateral, nuk ka asnjë të drejtë, por në dimensionin e tretë, edhe nëse e kërkon BE këtë nga Kosova atëherë, BE po kërkon nga Kosova të heq dorë nga pavarësia e saj, nuk mendoj se asnjë diplomat, as një ministër i jashtëm dhe asnjë president e kryeministër nuk mund të sillet në raport me një subjekt të së drejtës ndërkombëtare në këtë rast BE-në, në raport me kërkesat e tyre diplomatike që dërgojnë në heqjen dorë të Kosovës nga shtetësia e saj.”, tha Mazreku.

Më tutje, i pyetur se si do të ndikojë njohja e Izraelit tek vendet e tjera që nuk e njohin Kosovën, Mazreku tha se ndikimi do të jetë i madh.

Ai ka tërhequr një paralele midis historisë politike të Kosovës dhe Izraelit dhe ka thënë se Kosova mund të marrë shembull të mirë nga praktika politiko-diplomatike e Izraelit.

“Normalisht, që do të ndikojë dhe normalisht njohja nga ana e Izraelit na kujton një periudhë të caktuar kohore, na kujton kohën kur shteti i Izraelit e ka shpallur pavarësinë menjëherë pas Luftës së Dytë Borërore dhe në atë kohë, shumë vende dhe shumë anëtare të OKB-së kanë qenë kundër njohjes dhe kundër shpalljes së shtetit së Izraelit, por konsistenca e Izraelit për t’i realizuar synimet e tyre mijëra vjeçare e ka bërë realitet shtetin e saj. Prandaj, praktika dhe historia politiko-diplomatike e Izraelit duhet të na shërbejë si shembull.”, tha Mazreku.

Njohja e ndërsjelltë Kosovë – Izrael e ka hidhëruar Serbinë e cila ka deklaruar se do t’i zbeh marrëdhëniet me shtetin e Izraelit, por në anën tjetër, SHBA-të kanë deklaruar se do t’i qëndrojnë në krah Kosovës sa i përket shtetësisë dhe konsolidimit të pavarësisë e gjithashtu edhe artikulimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Reklama