Prishtinë, një polic plagoset duke provuar t’i ndalë hajnat që po plaçkisnin bankomatin

Në lagjen Veternik në Prishtinë, në orët e mëngjesit të së premtes ka ndodhur një grabitje, me ç’rast është plagosur edhe një polic.

Polici është plagosur gjatë tentimit për t’i zënë grabitësit.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, u shpreh zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci për KOHËN.

Sipas tij, Policia është në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme.

“Policia po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, shtoi ai.

 

Reklama