Prishtina në kaos, mbetet pa ngrohje dhe pa energji elektrike

Pa shumë alternativa për ngrohje kanë mbetur qytetarët e Kosovës të mërkurën në mëngjes. As 24 orë nga rekomandimi i Qeverisë që qytetarët të mos shfrytëzojnë rrymën për ngrohje, në Prishtinë kanë mbetur edhe pa ngrohjen që vjen nga Termokosi.

Ndërmarrja publike njoftoi se ndërprerja e ngrohjes ka ardhur për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u. Këtë krizë të rrymës e paralajmëroi një ditë më herët ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që para deputetëve njoftoi se një njësi e Termocentralit “Kosova B” është nxjerrë nga prodhimi. Nga KEK-u kanë thënë për KOHËN se janë në prodhim tri njësi të “Kosovës A” dhe një njësi e “Kosovës B”. Sipas KEK-ut, të enjten pritet që të hyjë në funksion edhe njësia tjetër e “Kosovës B”.

Thirrja e mosshfrytëzimit të rrymës për ngrohje këtë sezon dimëror është bërë qe një kohë për shkak të shtrenjtimit enorm të rrymës që importohet në vend. Rizvanolli njoftoi të martën se për dy muajt e fundit janë shpenzuar 12 milionë euro, aq sa ishin planifikuar për tërë vitin për rrymë. Pos shtrenjtimit të rrymës kriza është thelluar edhe me rritjen enorme të konsumit.

Edhe institucionet që merren me shpërndarje të rrymës në vazhdimësi kanë alarmuar për çmimin e lartë të rrymës që importohet. Tashmë është paralajmëruar edhe shtrenjtimi, ndërsa Qeveria s’ka garantuar se kjo s’do të ndodhë.

Nga Qeveria në vazhdimësi është bërë thirrje për shfrytëzim alternativ të ngrohjes, por ajo me qymyr është e dëmshme dhe qytetarët po inkurajohen të mos e përdorin atë për shkak të ndotjes.

Një ditë më herët, Qeveria publikoi edhe një manual se si të kursehet rryma. Aty u rekomandua për fikje të dritave kur qytetarët dalin nga shtëpia, zëvendësim të poçave elektrikë me ata me eficiencë të lartë, shfrytëzim të pajisjeve elektrike vetëm gjatë natës kur tarifa është më e ulët e të mos lihen ndezur kur s’shfrytëzohen pajisjet elektronike si mikrovalët, televizori, kompjuterët e konsolat e video-lojërave.

Ndalja e ngrohjes nga Termokosi pritet të çojë në shpenzim edhe më të madh të energjisë për ngrohje.

Reklama