Presidenca renovon dyshemetë, tenderin e fiton miku i babait të Presidentes

Mbi 8 mijë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit renovimi i dyshemeve të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani dhe zyrave të këshilltarëve të saj. Ndërsa, tenderin për t’i rinovuar zyrat e kabinetit të Osmanit, çuditërisht e ka fituar kompania “Arhing”, pronari i të cilës është mik i babait të presidentes së shtetit dhe vjen nga Mitrovica.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figurojnë dy kompani “Arhing”, njëra e regjistruar në emër të Jeton Canhasit, ndërsa tjetra në emër të Arbër Canhasit si “Arhing Group Sh.P.K.”, djalit të Jeton Canhasit, të cilët me prejardhje janë nga komuna e Mitrovicës dhe ky i fundit mik i babait të presidentes Vjosa Osmani, raporton Demokracia.com.

Se Jeton Canhasi është mik i babait të presidentes Osmani, këtë për Demokracia.com e ka konfirmuar edhe vetë ai.

“Unë kam qenë shef i Inspekcionit të Ndërtimtarisë e nga aty njihemi, pra jemi shokë, kjo është lidhja me të. Përndryshe, unë kam qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës për nëntë vjet”, ka thënë Canhasi për Demokracia.com.

Sipas kontratës së Publikuar në Prokurimin Publik, vlera e këtij tenderi ka qenë 9 mijë e 950 euro.

Kontrata i është dhënë kompanisë me çmimin më të ulët “N.P.T. Arhing” për 8 mijë e 247 euro.

Ndërsa, në kontratën e publikuar nuk bëhet e ditur se në cilat pjesë të Presidencës do të ketë renovime.

  

Demokracia.com thotë se ka dërguar pyetje para disa ditësh edhe në Zyrën e Presidentes për të kuptuar nëse janë duke u rinovuar vetëm kati i dytë, pasi katet tjera ishin rinovuar pak kohë më parë, megjithatë nga ky institucion nuk i janë përgjigjur interesimit të mediumit.

Reklama