Policia e Kosovës kap mbi 5 mijë euro të falsifikuara

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësiti i Krimeve Ekonomike  kundër korrupsionit, rajoni i Ferizajt, kanë arrestuar dy persona ,nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘falsifikim i parasë’.

Bëhet e ditur se më 6 dhjetor  nga pikëpalimi kufitar në Glloboçicë  njësitet policore kanë marrë informatë për një rast dyshimi për ‘falsifikimin e parasë’, ku të dyshuarit tashmë të arrestuar janë ndaluar nga Policia Kufitare, të cilët gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarve kanë gjetur të fshehura kartëmonedha të falsifikuara.

“Kontrollimi i të dyshuarve është bërë me kërkesë të hetuesve policorë të Kaçanikut, të cilët kishin informatë se të dyshuarit kanë bërë pagesë në një pompë të derivateve me bankënota të falsifikuara, duke u larguar nga vendi i ngjarjes”.

Të arrestuar lidhur me rastin janë B. A., lindur më 1993 dhe   V. H., lindur më 1987, që të dy shqiptarë shtetas të Maqedonisë.

Gjatë kontrollit nga policia atyre i janë gjetur 73 kartëmonedha në vlerë prej 5.100 euro.

Të gjitha këto kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara  me autorizim të prokurorit të shtetit si provë materiale janë sekuestruar përkohësisht dhe do të dërgohen për ekzaminim në Agjencionin Kosovar për Forenzikë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës të angazhuar sipas detyrës zyrtare.

Me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Reklama