Policë të armatosur të EULEX futen në OVL, Klinaku: Po sillen si në Jugosllavi, mund t’u kundërpërgjigjemi

Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka bastisur të premten zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vendin e ngjarjes janë parë policë të EULEX-it të cilët kanë hyrë brenda këtyre zyrave në Prishtinë, raporton KP.

Veprimi vjen një ditë pasi Gjykata Speciale nisi me arrestimet në Kosovë. Ajo dje zyrtarizoi aktakuzën ndaj Salih Mustafës, që u arrestua në Kosovë me ndihmën e EULEX-it.

Tre herë për një periudhë jo të gjatë kohore, krerë të OVL-së së UÇK-së, kanë bërë të ditur se në zyrat e tyre kanë pranuar nga të panjohur dosje të Gjykatës Speciale ndërsa kanë njoftuar po ashtu se ato ia kanë dorëzuar hetuesve të kësaj gjykate.
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se EULEX-i nuk ka nxjerrë asnjë dokument për bastisje në zyrat e kësaj organizate të premten.

Ai ka thënë se pa paraqitjen e asnjë dokumenti, bastisja ngjan në veprimet e Jugosllavisë. Ka shtuar se “siç kemi kundërshtuar Jugosllavinë dhe do të detyrohemi të luftojmë edhe me juve sikur kundër Jugosllavisë”.

“Isha në zyrë duke pi kafe, dhe këta zotërinjtë nuk prezantojnë asnjë letër dhe ju thash edhe Jugosllavia ka bërë kështu dhe jemi detyruar t’u përgjigjemi. Nëse shteti jonë s’merr masa, këta do të na detyrojnë të luftojmë edhe sikur kundër Jugosllavisë. As s’kanë dokumente, as letra, as përkthyes. Shteti ynë i ka fajet. Është bastisje, s’ka arrestime”, ka thënë ai duke i quajtur kriminelë zyrtarët e EULEX-it.

Xhavit Jashari nga OVL-UÇK ka thënë se nuk do të lejojnë veprime të tilla pa paralajmërim.

“Ne nuk do të lejojmë që të vijnë pa asnjë urdhëresë dhe pa paralajmërim. Mund të jenë edhe kriminel të Serbisë. Janë të maskuar, flasin gjuhë të ndryshme, një pjesë flasin sllavisht. Ne nuk do të lejojmë gjëra të tilla. Lirinë e kemi fituar me luftë dhe gjak dhe nuk lejojmë të na marrin”, ka thënë ai.

Reklama