Po forcohet apo po dobësohet kombi kosovar?

Editorial i RahoPress

Kosova e festoi 13 vjetorin e shtetësisë së saj në një rrethanë më të ndryshme se herëve të tjera. Flamujt e kaltër me hartë të artë dhe yje të bardhë vazhdojnë të valojnë nëpër qytete të Kosovës, por tërmeti i fundit elektoral e ka bërë të lëkundshme ekzistencën e tyre. Pushtetar i ri pritet të jetë Albin Kurti, një nacionalist që edhe emrin e partisë [Vetëvendosje, parimi i Referendumit për Bashkim me Shqipërinë kundër projektit shtetëror të imponuar ndërkombëtar] e ka të lidhur me projektin e Bashkimit Kombëtar. Ndërkohë që ky projekt tashmë po përmendet edhe nga luftëtarët e shquar të UÇK-së, siç ishte rasti me Ramush Haradinajn gjatë këtyre zgjedhjeve, apo edhe Hashim Thaçi para se të shkonte në Hagë.

Ajo që mund të thuhet është se fantazma e Bashkimit Kombëtar që na rrinte mbi krye tash e sa kohë mori një forcë edhe më të madhe – ani që serioziteti i liderëve kosovarë për ta çuar përpara mbetet i diskutueshëm.

Që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e ndoshta edhe më herët, debati mbi kombin ka qenë ndër më provokuesit për qytetarët e Kosovës pasi që prekte themelet e identitetit të tyre, e me këtë edhe kushtet mbi të cilat mendohej vetja.

Duke qenë fort të lidhur me folklorin vendës – që rridhte nga një traditë e gjatë kryengritjesh pan-shqiptare – një pjesë e madhe qytetarësh nuk mund të shkëputej nga ideja e nacionalizmit organik, ide e kultivuar për kohë të gjatë nën mungesën tmerruese të shtetit. Shqiptari i Kosovës ishte shqiptar, dhe ky identitet ishte në thelb një identitet organik, një identitet i lidhur me gjakun, e më pas edhe me kulturën e gjuhën.

Një shkëputje nga ky identitet organik, dhe një lidhje me një identitet nacional më etatist, e përbën 28 nëntori i 1912-s. Përkundër që festohet gjithandej si një ditë e kombit, festë e të gjithë shqiptarëve etnikë, etj.,  ajo përkujton në fakt lindjen e një shteti. Prej atëherë e tutje, ideja e “Shqipërisë së Madhe”, ose e “Shqipërisë etnike” kanë qenë kërkesa politike të lidhura njëkohshëm me nacionalizmin organik dhe atë etatist.

Por, kërkesa për një shtet një-etnik dhe territorialisht më të madh ecte në kahun e kundërt të zhvillimeve historike të shekullit XX që kërkonte çlirimin e identiteteve rigjide pas zullumeve të pabesueshme që po bënin.

Një ndër filozofët më të mëdhenj të shekullit XX, Michel Foucault, e shihte këtë drejtim kah konceptimi etatist i kombit qysh në shekullin e XIX.

“Ajo që do të përbëj thelbin e funksionit dhe rolit historik të kombit, nuk do të jetë ushtrimi i një raporti të sundimit mbi një komb tjetër; do të jetë diçka tjetër: do të jetë administrimi i vetes, menaxhimi, të qeverisurit, sigurimi i vetes, ndërtimi dhe funksionimi i figurës dhe pushtetit shtetëror. Jo sundimi por etatizmi.”

Çka mund të kuptohet prej asaj që thotë Foucault? Në rend të parë, se të menduarit mbi kombësinë e tyre shqiptarët e kishin reaksionar ndaj nacionalizmit ‘si ushtrim i raportit të sundimit’ të fqinjëve tanë. Por, edhe duke qenë reaksionar ndaj nacionalizmave sundues, nacionalizmi shqiptar mbeti në vetvete një nacionalizëm sundues. Thelbi i funksionit të këtij nacionalizmi nuk ishte “ushtrimi i një raporti sundimi mbi një komb tjetër”, por negacioni i plotë i tij “ushtrimi i një raporti rezistues ndaj përpjekjes sunduese të kombit tjetër”. Dhe pikërisht ky ushtrim e ky raport e mbante edhe më fort përbrenda sundimit, dhe e largonte prej etatizmit.

Edhe sot, pikërisht një ide të tillë e përdorin kritikët e nacionalizmit etatist kosovar. Ata e përmendin konkretisht Serbinë, dhe diskurset agresore të saj në raport me Kosovën, për të treguar kushtet e pamundësisë së një identiteti të ri, ose çfarëdo identiteti të qarkullueshëm.

Pikërisht këtu qëndron edhe udhëkryqi i madh ku qëndron e ardhmja e kombësisë së Kosovës. Liderët kosovarë nuk mund të merren seriozisht kur përmendim Bashkimin Kombëtar, por seriozisht duhet të merren dështimet e përsëritura të Bashkimit Evropian për t’i ofruar Kosovës një perspektivë të qartë e të sigurt evropiane. Këto janë kushtet e mundësisë së një ecjeje drejt një kombi që rol funksional do ta ketë mirëqenien qytetare.

Përmendja e vazhdueshme e Bashkimit Kombëtar po ashtu e mirëmban përkohësinë si trajtë themelore të shtetësisë së Kosovës. Dhe pikërisht një gjë e tillë pjesërisht e pamundëson atdhedashurinë, përkushtimin dhe zellin për ndërtimin e Kosovës.

“Kombet e vogla. Ky koncept nuk është sasior: ai tregon një situatë, një kësmet: kombet e vogla nuk e njohin ndjesinë e lumtur me qenë aty ku janë përgjithmonë; ata janë të gjithë kalimtarë, gjithmonë ballafaqe arrogancës së të mëdhenjve, ata e shohin ekzistencën e tyre gjithnjë si të kërcënuar.” – shkruante Milan Kundera. Por, edhe në rast të një bashkimi eventual kombëtar, përsëri vogëlsia territoriale e asaj Shqipërie do të ishte evidente. Si kombe të vogla sot merren edhe Serbia, Rumania, Bullgaria – e që janë shumë më të mëdha se ne. Kundera ta zëmë ishte çek, dhe fliste për përjetimin e “kalimtarisë” së këtij kombi.

Rrethanat aktuale imponojnë një moment kritik për vetë idenë e kombit kosovar dhe projektin e Bashkimit me Shqipërinë. Të dyja do të varen nga idetë dhe puna që do të bëj Albin Kurti, lideri me pushtetin më të madh në Kosovën e pasluftës.

Reklama