Po bëhet gati Harta Zonale e Rahovecit, thirren debate publike me qytetarë

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Rahovecit, Rumir Zhuniqi, ka njoftuar se është përgaditur drafti i parë i Hartës Zonale për Komunën e Rahovecit dhe për ta bashkëdiskutuar me qytetarët këtë temë, do të mbahen debate publike në disa lokacione.

Zhuniqi ka thënë se zonimi i Rahovecit me hartë, përbën një hap të rëndësishë për planifikimin dhe rregullimin e kushteve për zhvillim hapësinor.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten debatit, duke ndarë linkun e datave dhe lokacioneve për mbajtjen e debateve.

Zhuniqi ka shkruar:

Qytetarë të Rahovecit,

Komuna e Rahovecit është duke u përgaditur për debatet publike që do të mbahen për prezantimin e draftit të parë të Hartës Zonale të Komunës së Rahovecit, që përbën një hap të rëndësishëm për planifikimin dhe rregullimin e kushteve për zhvillim hapësinor.

Përmes zonimit do të mundësohet që komuna të rregullojë shfrytëzimin dhe zhvillimin e tokës për tërë territorin e komunës sonë. Kjo nënkupton rregullimin e resurseve dhe mjedisit, infrastrukturës dhe shërbimeve përcjellëse, me synim të sigurimit të zhvillimit hapësinor, fizik, ekonomik, social dhe mjedisor, shëndetit, si dhe mirëqenies së komuniteteve në pjesë urbane dhe rurale.

Ju ftojmë që t’i bashkangjiteni debateve dhe së bashku ta krijojmë një hartë zonale që i përgjigjet nevojave të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Datat dhe orarin e përcaktuar për mbajtjen e debateve publike në qytet e fshatrat e Rahovecit i gjeni këtu: https://bit.ly/3fQkGHS

Reklama