Përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit

Shtatorja e Majlinda Kelmendit është përuruar të premten në Pejë, në qytetin e lindjes të kampiones olimpike.

Numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores. Prezent ishte edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, me idenë e të cilit edhe është punuar shtatorja e xhudistes kampione.

Fillimisht ishte menduar që shtatorja të vendosej në Prishtinë, por nuk u përcaktua lokacioni. Kështu shtatorja u vendos në Pejë.

Në ceremoninë e përurimit të shtatores së kampiones së botës në xhudo prezent ishte edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka vlerësuar se zbulimi i shtatores së Majlindës është moment historik. Kanë folur në ceremoni edhe e para e MKRS-së, Vlora Dumoshi dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Ndërkohë presidenti i IJF-së, Vizer, ka përsëritur se Majlinda është njëra prej sportisteve më të mëdha në botë. Vizer është mik i madh i Kosovës.

“Është nder i madh për sportin tonë që kemi përfaqësuese të tillë, një prej sportisteve më të mëdha në botë. Falenderojë Majlindën, Driton Kukën, Agron Kukën. Rezultatet e Majlindës janë inspirimi më i mirë për vendin tuaj”, ka thënë Vizer ndër të tjera.