Përplot reagime pas dorëheqjes së Kryeministrit: Haradinaj është hero

Kanë nisur reagimet e para, pas lajmit të papritur të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi tha që ka marrë ftesë si i dyshuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

17:05 – Koci: Haradinaj është hero

Avokati Arianit Koci, i cili ishte avokat i Ramush Haradinajt në kohën kur ky i fundit ishte ndaluar në Francë, ka thënë se Haradinaj është hero.

“Gjithmonë, gjatë historisë njerëzore, ka pasur individë që e kanë bartur barrën e krejt popullit të vet. I quajmë heronj.

I tillë është Ramushi”, ka thënë Koci.

“Po e ruan dinjitetin tokës dhe popullit të vet. Rëndë për të, rëndë për familjen e tij, rëndë për të gjithë neve. Sidoqoftë, edhe këtë betejë do ta fitojë. Sigurt!”, ka shtuar më tej.


17:01 – Haziri: Ftesa për Haradinajn, e papritur

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për KTV-në pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, i ftuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Haziri ka thënë se është e natyrshme që ka qenë e papritur ftesa për Haradinajn.

“Është rast i natyrshëm që nuk është pritur që ai të jetë i ftuar”, ka thënë Haziri, duke shtuar se edhe në herën e parë edhe të dytën ai ka dëshmuar pastërtinë e luftës.

“Nuk është pritur që ata që janë ballafaquar njëherë me drejtësinë që të jenë të ftuar. Kjo tregon që askush nuk është i përjashtuar nga ftesa e mundshme”, ka thënë Haziri, derisa nuk ka dashur që të lëshohet në emra konkretë.

“Zoti Haradinaj ka dhënë sërish një precedan që është tërhequr dhe ka lënë postin e kryeministrit. Ka qenë veprim në respekt të vendit të vet, duke e distancuar rolin e tij si kryeministër në atë si i dyshuar”, ka thënë ai.

Duke folur për situatën politike të shkaktuar nga ky rast, Haziri ka thënë se “situata dhe kërkesat e opozitës kanë qenë përtej këtij rasti, ka qenë kërkesë që vendi të shkojë në zgjedhje”.

“Por ky është momentum i ri që është krijuar, tregon qartë që vendi është para një situate të jashtëzakonshme politike, me mundësi të madhe që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Haziri.


17:01 – Berisha thotë se ftesa nga Specialja për Haradinajn është tallje me Kosovën

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se ftesa nga Gjykata Speciale për kryeministrin Ramush Haradinaj është tallje me shtetin e Kosovës.

Ai ka pyetur “se sa herë duhet me dëshmu Ramushi se është i pafajshëm dhe lufta UÇK- së ka qenë e drejtë!?”

“Kjo është shantazh ndaj shtetit!!! Ju që keni votuar Gj.Speciale a po bindeni se keni luajtur lojën e djallit? Mbaju Ramush, Kosova është me ju edhe në këtë rast”, ka shkruar ai.


16:53 – Selmanaj: Ftesa e Speciales për Haradinajn e padrejtë

Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, lajmin për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka quajtur shokues dhe të padrejtë.

Ai tutje ka shtuar se Haradinaj ka paguar çmim gjithmonë dhe sipas tij po e paguan përsëri.

“Një lajm i papritur, edhe shokues. Me thënë të vërtetën jemi të shokuar nga ky lajm. Personalisht as që e kam menduar që Haradinaj mund të ftohet nga gjykata special por ja që është tepër e çuditshme dhe tepër e papritur”, ka thënë ai për KTV-në.

Ai ka thënë se AAK-ja do t’i mbajë mbledhjet partiake dhe do të shohin se cili do të jetë qëndrimi i kryetarit me këto zhvillime.

Selmanaj ka thënë se kjo është emocionale, shokuese dhe e padrejtë.

“Nuk kam koment absolut, jemi duke i vajtuar pasojat e një gjykate të padrejtë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se qëndrimet e Hardinajt kanë qenë në shërbim të vendit por që pranon se jo të gjithëve iu kanë pëlqyer këto qëndrime, duke shtuar se mund të mos jenë pëlqyer as nga ndërkombëtarët.

“Ramush Haradinaj ka paguar çmim gjithmonë dhe si duket po e paguan përsëri”, ka shtuar ai.


16:49 – Çitaku për Haradinajn: Kjo nuk është drejtësi

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në New York, e ka cilësuar këtë padrejtësi.

“Kjo nuk është drejtësi.#RamushHaradinaj”, ka thënë ajo.

Reklama