Përfundon rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërim i votave.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi sipas të cilit janë rinumëruar 141 vendvotime në total.

“Rinumërimi i 134 vendvotimeve sipas vendimit të PZAP-it dhe 7 të tjerave sipas vendimit të KQZ-së, është përmbyllur gjatë ditës”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar se janë në pritje të vendimmarrjen së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion.

“Tashmë jemi në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion. KQZ-ja do të veprojë në përputhje me vendimet që dalin, në mënyrë që të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka thënë Elezi.

Një numër i madh i ankesave gjatë ditës së djeshme janë adresuar në Gjykatën Supreme, kryesisht nga kandidatë për deputetë të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave, pasi pretendojnë se ka pasur parregullsi në numërimin e tyre. Krahas kësaj, ankesa kanë dorëzuar edhe iniciativa e komunitetit boshnjak të Adriana Hoxhiq lidhur me anulimin e votave në zonat me vendbanime serbe.

Ankesë në Supreme kanë dorëzuar edhe dy ish-deputetë nga komunitetet boshnjake dhe rome.

Duda Balje dhe Veton Berisha kërkuan anulimin e votave në gjitha komunat me shumicë serbe për iniciativën e Hoxhiqit dhe atë rome.

Reklama