Përfundojnë punimet në përroskën e Opterushës, Latifi: Investime të ngjashme edhe në lokacione të tjera

Dje në Opterushë kanë përfunduar punimet në mënyrë ceremoniale në përroskën e fshatit, me një gjatësi prej 762 metrash.

Kryetari Smajl Latifi ka thënë se ky projekt ishte kërkesë dhe interes publik. Sipas tij, projekti përveçse ia shton bukurinë fshatit, e mbron edhe nga vërshimet në rast të reshjeve të dendura.

“Në vigjilie të 12 Majit- Ditës së dëshmorëve të komunës sonë, edhe një projekt i mirë, i bukur dhe funksional i realizuar në Opterushë, i cili ishte kërkesë, nevojë dhe interes publik. Pra, rregullimi i shtratit të përroit, ia shton bukurinë, i jep vlerë si dhe mbron fshatin nga papastërtitë dhe nga vërshimet.  Janë 762 metra gjatësi, ndriçimi publik, ura në rrugën kryesore 8.2 metra gjerësi, trotuarë në të dy anët, kanalizimi fekal me gypa plastik të brinjëzuar për 262 metra gjatësi, drunj dekorues, ura të vogla (lëshesa) kaluese përskaj përroit dhe elemente të tjera”, ka shkruar Latifi.

Ai ka paralajmëruar se Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, projekte të ngjashme do të realizojë edhe në lokacione të tjera, siç është Rahoveci, Pataqani i Ulët, Malësia e Vogël, Polluzha, Celina, Dejni, Sapniqi, Ratkoci, Çifllaki, Fortesa, Krusha e Madhe e Kramaviku.

“Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, do të realizojë, përveç Opterushës, edhe projektet e trajtimit të përrenjve në: Rahovec, Pataqan të Ulët, Malësi të Vogël, Polluzhë, Celinë, Dejnë, Sapniq, Ratkoc, Çifllak, Fortesë, Krushë të Madhe, Kramavik, e në vendbanime të tjera. Kjo dëshmon përpjekjen tonë serioze për të parandaluar ndotjen e mjedisit dhe përmbytjet. Shpresoj se ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të qytetarëve të Opterushës. Urime!”, ka shkruar Latifi.

Reklama