Për Rahovecin

Shkruan: Fidan RAMA

Kësaj radhe kam vendosur të shkruaj gjatë, sepse shkruaj rrallë për Rahovecin, pasi më shumë mendoj për të, e sa kam mundësi edhe kontribuojë.

Dje kemi përmbyllur edhe një edicion të, jashtëzakonshëm të FINAL 8, spektakël i paparë me një organizim që po ashtu nuk është parë ndonjëherë në Kosovë, ku fituese e turneut doli Peja, për çka edhe e uroj për trofeun.

Rahoveci këtë edicion dëshmoi shumë.Duket e vështirë për t’u pranuar nga shumëkush, por ja qe ndodhi, PO, në Rahovec.Ne dëshmuam dhe treguam që jemi të gatshëm të hapim dyert e ta presim gjithë Kosovën, çka rrallë apo fare nuk do ta bënin qytetet tjera, në një atmosferë të tensionuar mes tifozëve.

E gjithë Kosova ishte dëshmitare për katër ditë se si organizohen gjëra të mëdha edhe pse mundësia që iu dha grupeve të tifozëve u keqpërdor në maksimum, duke fyerë e sharë në mënyrën më të rëndë vendin që u hapi dyert dhe ua mundësoi të jenë pjesë e atmosferës, por e lëmë së kështu e ‘paska’ sporti.

Në këtë situatë, as tensionet nuk munguan për çka personalisht e pashë se e kisha keqkuptuar zhvillimin e basketbollit, duke dal nga vetja e duke mos e njohur vetën, krejtësisht jashtë natyrës time.

Shfrytëzoj rastin t’i kërkojë falje secilit që është ndierë i ofenduar apo i anashkaluar nga ana ime, veçmas shumë prej kolegëve nga Peja, me të cilët ka disa vite që e kalojë pjesën më të madhe të ditës, por njëkohësisht pres që të njëjtit ta kuptojnë tensionimin dhe barrën e përgjegjësisë që kisha si organizator.

Kaq sa i përket situatës së mbrëmshme dhe FINAL 8.
Ishte maji i vitit 2016 kur unë zyrtarisht iu bashkova KB Rahovecit, aty ishin Albani, Bekimi e shumë të tjerë, por arsyeja pse pranova të isha pjesë e projektit ishin pikërisht Albani dhe Bekimi.

Që nga ai moment filloi të më mbushet zbrazëtia që kisha dhe mungesën e ideve se si t’i ndihmoi vendit ku u linda dhe u rrita.

KB Rahoveci pas inkuadrimit në Superligë filloi të ballafaqohet me telashe të mëdha, jashtëzakonisht të mëdha dhe vetëm ata qe ishin afër meje e kuptojnë se për çka po flas e s’dua t’iu ngarkojë ju të tjerëve.

Rrugëtimi i skuadrës sonë ishte i jashtëzakonshëm për shumëkë edhe i pabesueshëm. Qysh në vitin e dytë arritëm në Play OFF, në vitin e tretë në Superligë u bëmë me palestër dhe jam i bindur që po të mos ishte suksesi i KB Rahovecit, palestra do të ishte ende e pa përfunduar ose në procedura të zhagitjes.

Çka të them pas palestrës, super spektakle e pamje e deri te zhvillimi i dy finaleve Kupës dhe Superligës. Këtē vit luajtëm edhe në Evropë e jemi edhe në Ballkan Ligë, gjitha këto u bënë fal punës, vullnetit dhe guximit nga njerëzit që besuan.

Pavarësisht sfidave për mua ishin 4 vite të mrekullueshme, 4 vite krenarie që kisha mundësi t’i dhurojë diçka vendit tim, sepse besojë se secili duhet të jap për vendin e tij, të paktën aq sa ka mundësi.

KB Rahoveci është zhvilluar shumë e do të zhvillohet edhe më shumë, fal atyre që i qëndruan afër skuadrës që janë shumë prej bizneseve, kryetarë të komunës sonë e shumë individ që dhanë kontribut. Tifozët Vreshtarët dhe i gjithë Rahoveci ishin pjesë e rrugëtimit të përbashkët, për çka do t’u jem falenderues gjithmonë.

Për këto 4 vite të përfshirjes sime në KB Rahoveci, mund të flas tërë natën por s’po e zgjasë, pasi koha do t’i tregojë disa gjëra.

Personalisht kam përjetuar edhe momente të rënda, janë shfaqur dyshime madje jam dhe jemi quajtur hajna, ka prej tyre qe ende besojnë se jemi të tillë duke mos e kuptuar asnjëherë realitetin se me çka ballafaqohemi e duke mos pyetur sesi funksionon ai klub që personalisht atij ose asaj që flet gjëra të tilla, ia mundëson një aktivitet që e bënë krenar, por edhe këtë po ia lëmë kohës, e cila do të dëshmojë shumë çka.

Jo më kot thonë se kur nuk ke më çka ofron, duhet të lëshosh rrugë. E këtë përfundimsht unë e pashë këtë edicion e gjatë FINAL 8.

Pashë që ky ishte maksimumi që personalisht mund të jap për këtë skuadër në rrethenat të cilat punojë. Pashë që duhet të hap rrugë dhe kuptova që misioni vullnetar e ka një fillim dhe një fund. KB Rahoveci sot ka themele të forta për çka e falenderojë secilin anëtar të bordit për angazhimin.

Unë sot me krenari të plotë për atë se çfarë është arritur, konfirmoj dorëheqjen time nga të gjitha pozitat e përgjegjësitë në klub dhe këtu pushon kontributi im në fushën e basketbollit sepse nuk e shoh kontributin tim në skuadra të tjera.

Ftoj gjithë kolegët tjerë që janë dhe ata të cilët e kanë mundësinë dhe mund të japin kontribut, t’i qëndrojnë afër këtij projekti e të mos e lënë të shkatërrohet. KB Rahoveci duhet të vazhdoj rrugëtimin dhe jam i bindur se nuk jemi larg qëllimit, prandaj individë me energji të reja duhet t’i afrohen klubit për çka nuk kam dyshime se do të ketë të tillë.

Falënderojë gruan time Sarandën për mbështetjen maksimale dhe tërë familjen në Rahovec.U kërkoj falje dy djemëve të mi, Nili dhe Lumit që shumë vikende nuk i kalova me ta për shkak të anagzhimit në klub, por e di që më kuptojnë.

Për fund, sa të kam jetë e frymë do të jem afër Rahovecit dhe do ta ndihmojë vendin tim në fusha të tjera, aty ku e shoh se kam mundësi e më lejojnë rrethanat ta bëjë.

Faleminderit për mundësinë që ma ofruat për të kontribuar në Rahovec.

Çdo herë do të shihemi për të mira.

FALEMINDERIT RAHOVEC🙏🙏

Reklama