PDK për Osmanin, Kurtin e Gërvallën: Treshe e organizuar kundër Kosovës dhe kundër UÇK-së

Antari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi ka thënë se presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme janë treshe e organizuar kundër shtetit dhe kundër UÇK-së.

Gjoshi përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo treshe janë duke shfrytëzuar kapacitetet shtetërore për të dëmtuar procesin e drejtësisë dhe luftës së drejtë për liri e shtet të Kosovës.

“Në Qeverinë e Kosovës dhe në Presidencë ekziston kjo treshe e organizuar kundër shtetit të Kosovës dhe kundër UÇK-së. Kjo strukturë mendon njejtë, ka qëllime të njejta dhe vepron njejtë. Albin Kurti, Vjosa Osmani janë drejtues të kësaj strukture që në thelb përbëjnë kërcënim për zhbërjen e shtetit të Kosovës si rezultat përfundimtar. Pjesë e kësaj strukture është edhe Donika Gërvalla Schwarz e cila është në krye të fushatës vetëm medialisht, por që ka mbështetjen e fuqishme të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit”, ka shkruar Gjoshi.

Tutje ai tha se Osmani Kurti e Gërvalla i kanë kaluar kufijtë e urrejtes dhe padurueshmërisë politike.

“Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme nuk janë duke qëndruar as të paanshëm, çfarë kërkohet në drejtësi. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre po dëmtojnë qëllimisht procesin. Duke shfrytëzuar shtetin për të dëmtuar luftën e popullit për liri, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schwarz janë duke shërbyer kundër interesave kombëtare. Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schwarz, i kanë kaluar kufijtë e urrejtjes dhe padurueshmërisë politike”, shkroi ai.

Reklama