PDK-ja për shtyrjen e zgjedhjeve: VV-ja po frikësohet se do t’i humbë shumicën e komunave

Kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve në aspektin ligjor nuk është e mundshme.

Por që sipas tij, fushata duhet të shkurtohet për shkak të gjendjes aktuale që e kemi me pandeminë.

“Shtyrja e zgjedhjeve në aspektin ligjor nuk është e mundshme dhe besoj që kjo nuk do të ndodhë. Mirëpo ndoshta kishte me qenë racionale që fushata të shkurtohet për shkak të gjendjes aktuale që e kemi me pandeminë”.

Totaj pohon se kërkesa e Vetëvendosjes për shtyrje të zgjedhjeve vjen si pasojë e frikës se mund të humbin në shumicën e komunave.

“Duke u bazuar në informacionet që marrim nga tereni çdo ditë ata aspak nuk e kanë gjendjen e mirë në teren dhe aktualizimi i kërkesës për ti shtyrë zgjedhjet vjen si pasojë e një frike që i ka kapluar ata dhe tentojnë të krijojnë huti”.

Mes tjerash, ai tha se puna e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka karakterizohet me shumë dështime dhe mospërmbushje të premtimeve të dhëna para fushatës paraelektorale.

Reklama