PDK-ja ndryshon mendim për herë të tretë, tash thotë se nuk duhet hequr taksa

Kur vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, PDK-ja ka ndryshuar qëndrimin e saj rreth taksës 100 për qind të mallrave ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Nga qëndrimi me shkrim që e kishte, se taksa duhet të pezullohet për 120 ditë, tash Enver Hoxhaj thotë se ajo nuk duhet hequr. Madje ka përsëritur se taksa ka qenë ide e tij, e ka akuzuar ish-shefin e tij në ekzekutiv Ramush Haradinaj, se as që e ka ditur se kush vë taksë.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoxhaj ka provuar ta arsyetojë me miqtë amerikanë, duke thënë se kjo nuk ka të bëjë me populizëm.

“Një kohë ne e kemi mbajtur një qëndrim, dhe unë nuk dua t’i ik pyetjes, por qëndrimi jonë aktualisht është që taksa duhet të mbetet në fuqi”, ka thënë Hoxhaj.

“Në atë kohë ka qenë një ofertë, veçmas nga miqtë tanë amerikanë që të pezullohet për 120 ditë, në mënyrë që t’i jepet mundësi arritjes së një marrëveshje me Serbinë. Ka qenë veprim i menduar mirë, i ardhur nga këshilltarët e Trumpit”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar në raportin e Serbisë ndaj Kosovës, e prandaj taksa nuk duhet të hiqet.

“Sa i përket pronësisë, ju e dini që zoti Haradianj pak ka pas ide se kush mundet të vendos taksë, e dini që ka qenë ide e imja”, ka thënë Hoxhaj, teksa ka refuzuar që të komentojë kontributin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke thënë se as që dëshiron të lëshohet në këso komentesh.

“I mbetet Qeverisë së ardhshme, por duhet të ketë një lëvizje të re në dialogun”, ka thënë Hoxhaj.

Kur ka folur për një mundësi të re të koalicionit me AAK-në e Nismën, ai ka thënë se nuk e sheh si opsion.

“PAN-i ka qenë i mirë për miratimin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, i cili është mirë që ka ndodhur”, ka thënë Hoxhaj.

E duke komentuar se përkundër kësaj, nuk ndodhi liberalizimi i vizave, Hoxhaj ka thënë se është një padrejtësi që Evropa po vazhdon t’i bëjë Kosovës.

Reklama