PDK akuzon Vetëvendosjen për krijimin dhe frymëzimin e organizatës “Syri i Popullit”

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga përfshirja në organizatën “Syri i Popullit”, pasi thotë se ajo e formoi atë.

PDK-ja, përmes një reagimi publik, thotë se dënimi i organizatës terroriste “Syri Popullit” është një lajm i mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës dëshmuan edhe njëherë fuqinë dhe profesionalizmin për të parandaluar, kapur dhe dënuar një grup të terroristëve të cilët kishin ndërmarrë një tentim vrasje dhe po planifikonin të vrisnin kundërshtarët politikë ku në listat e tyre të ekzekutimit figuronin udhëheqës shtetërorë, figura të partive politike dhe personalitete publike”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës, shkruan tutje, “dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët politikë”.

“PDK kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”, përfundon reagimi.

Reklama