Pas Washingtonit, sot në Bruksel takohen Borrell, Hoti e Vuçiq

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të takohen sot me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim tjetër të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel.

Si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, takimi do të trajtojë rregullimet e komunitetit jo-shumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare/pronave.

Takimi i nivelit të lartë i dialogut Kosovë-Serbi është planifikuar të fillojë në ora 10:00.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell do të japë një deklaratë për shtyp përpara fillimit të takimit dhe përfaqësuesi special i BE-së Mirosllav Lajçak në fund të takimit. Të dy deklaratat do të transmetohen në kanalet e Këshillit dhe EbS, rreth orës 10:30 dhe deklarata e diplomatit sllovak pas përfundimit të takimit.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka bërë të ditur nga Brukseli të dielën, se ka përafrim të qëndrimeve të palës serbe dhe asaj kosovare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

“Jemi afër, sot kanë qenë pak konstruktive këmbimet, qëndrimet, mendimet dhe sidoqoftë ka mbetur shumëçka për të rrumbullakuar nesër në nivel të lartë. Sonte do të diskutojmë edhe veç e veç çështjet që kanë mbetur më kontestuese. Ka përafrim të dukshëm të qëndrimeve për ato që po i quaj elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, tha Hyseni.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik. Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Reklama