Pas kapjes së opozitës, Albin Kurti po synon me e kap edhe shtetin!

Shkruan: Esheref Haxhiu

Nëse Hashim Thaҫi, PDK, bashkë edhe me forcat e tjera politike që kanë qeverisur me Kosovën e pasluftës e kanë kapur shtetin, Albin Kurti dhe VV janë përpjekur me ҫdo kusht që ta kapin dhe ta mbajnë të kapur taborin opozitar. Për shkak të monopolit të VV-së në opozitarizëm, shumë forca dhe parti politike në Kosovë nuk kanë arritur që t’i mbijetojnë kohës. Gazi lotësjellës dhe krismat e molotoveve nga akterët e VV-së, i kanë bërë të padëgjuar dhe të pavërejtur edhe argumentimet më të arsyeshme politike nga të tjerët. Nëpërmjet moralizimeve të tepruara politike, për vite me radhë, VV ka arritur që ta shndërroj dëshpërimin e qytetarëve në urrejtje dhe zemërim, ndërkaq tani po synon që këtë urrejtje dhe zëmërim ta shfrytëzoj si instrument për ta kërcënuar edhe vet shtetin dhe rendin kushtetues. Këtë po e bëjnë duke paralajmëruar protesta dhe revoltim, nëse Gjykata Kushtetuese nuk e ofron verdiktin e pritur nga VV.

Në njërën prej premisave të tij të shumta filozofike, Friedrich Nietzsche thotë se: nëse njeriu të tregon se nuk ka bërë asnjëhere keq, pyete se sa here ka pasur mundësi të bëj keq. Po ashtu, nëse thotë se ka bërë disa herë mirë, prap pyete se sa here ka pasur mundësi që të bëjë mirë. Kjo për shkak se edhe e mira edhe e keqja maten në proporcion me mundësinë.

Prandaj, Albin Kurti dhe VV nuk kanë asnjë meritë për mospërfshirje në kapjen e shtetit deri më tani, për shkak se ata asnjëherë nuk e kanë pasur një mundësi të tillë. Tanimë që mundësitë u janë ofruar, kapja veҫ ka filluar.

P.S. një prej mekateve politike të Albinit dhe të VV-së është edhe polarizimi i skenës politike në Kosovë. Sipas tyre, nëse nuk je me ata apo je kundër tyre, me automatizëm nënkupton se je me PAN-in apo LAN-in. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe as e qëndrueshme. Në Kosovë ka pasur dhe do të vazhdoj që të ketë pluralizëm politik, pavarësisht tendencave për polarizim.

Reklama