Paralajmërohet ngritje e përditshme e çmimit të derivateve deri në janar

Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka paralajmëruar se në vend dhe në botë do të ketë vazhdimisht ngritje të çmimit të karburanteve deri në janar.

Sipas tij, edhe pse në Kosovë ka pasur ngritje të konsiderueshme të çmimit të naftës e benzinës, “qytetarët e Kosovës po shërbehen me çmimet më të lira të naftës në rajon”.

“Kur flasim për rajon e kemi Shqipërinë ku dizeli është 1.52 cent e benzina 1.55. Serbia, Maqedonia e Mali i Zi më shtrenjtë se Kosova pos Maqedonisë që e ka akcizën më të ulët te dizeli”, ka thënë ai në emisionin SOT në KTV. Në Kosovë çmimet sillen rreth 1.2 euro për litër dizeli dhe 1.27 për litër benzine.

“Ne e kuptojmë çfarë është ekonomia jonë dhe çfarë jete kanë qytetarët. E them me përgjegjësi që është i shtrenjtë çmimi, por këtë s’e bën shoqata e naftëtarëve, por berza dhe organizata prodhuese OPEC. Kur kemi reduktim më të madh, çmimi është më i lartë. Po fillojmë që nga SHBA-ja e deri në Kosovë është panik e madhe. Organizata prodhuese ka dalë me komunikatë se deri në janar do të ketë probleme dhe ngritje të përditshme të çmimeve. Kjo rritje është duke vazhduar dhe do të ndodhë e s’ka të ndalur. Çmimi me shumicë po rritet e ai me pakicë është real. S’po rriten çmimet në mënyrë të theksuar, por në mënyrë të lehtë. Qytetarët po shërbehen me çmim real. Në tregjet botërore rritja reflekton edhe në Kosovë. Por ne jemi më të lirët në rajon e s’ka nevojë për panik”, ka thënë Berjani.

Sipas Berjanit, në vend furnizimi po bëhet me derivate cilësore e më s’po ka ankesa nga qytetarët.

Ai ka thënë se me Ligjin e ri të naftës do të ketë kriter për hapjen e pikave të karburanteve e zgjatje të periudhës së pastrimit të rezervarëve.

Në fund Berjani ka apeluar te qytetarët që të mos frikësohen sepse “do të ketë me bollëk derivate në Kosovë”.

 

Reklama